Prokuroria kërkon dënimin e policit të akuzuar për keqpërdorim pozite, mbrojtja lirimin e tij

08.02.2018 17:25:40

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka kërkuar që zyrtari policor, Hamdi Tërpeza, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Një kërkesë të tillë e ka bërë, prokurori Feti Tunuzliut, të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku është dhënë fjala përfundimtare në këtë rast, në të cilin Tërpeza akuzohet se më 20 janar të vitit 2013, si zyrtar në stafin civil të Drejtorisë së Logjistikës në Policinë e Kosovës, me qëllim që vëllai i tij Artan Tërpeza, të jep provimin për patentë shofer për kategorinë “B”, duke mos iu nënshtruar fare testit, e kishte kërcënuar përmes telefonit, tashmë të dëmtuarin, Kasim Hoxha, instruktor në auto-shkollën “Anita” në Prishtinë.

Prokurori Tunuzliu, ka deklaruar se nga provat e administruara gjatë shqyrtimeve gjyqësore është vërtetuar dispozitivi i aktakuzës.

Ai ka thënë se i akuzuari në procedurën paraprake, përkatësisht në hetuesi ka pohuar, e në shqyrtim gjyqësor ka ripohuar se është i punësuar si zyrtar në stafin civil në Drejtorinë e Logjistikës së Policisë së Kosovës.

Sipas prokurorit, është vërtetuar nga dëshmia e të dëmtuarit, njëkohësisht dëshmitarit, Kasim Hoxha, dëshmitarit Nexhmedin Bunjaku dhe provave të pranueshme materiale, se i akuzuari duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, ka tejkaluar kompetencat zyrtare.

Prokurori, në fjalën e tij përfundimtare, ka thënë se i dëmtuari ka vërtetuar padiskutueshëm se më 20 janar të vitit 2013, rreth orës 16:30, i akuzuari e ka telefonuar dhe e ka kërcënuar që vëllai i tij ta kaloi testin për patentë shofer.

Gjithashtu, prokurori ka deklaruar në fjalën e tij përfundimtare, se më 21 janar të vitit 2013, i akuzuari pasi ka parkuar veturën e policisë “Golf V”, në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, i është afruar të dëmtuarit, duke i ka treguar se është personi që e kishte thirr në telefon, të cilit i kishte bërë presion lidhur me këtë rast.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Durim Osmani, ka deklaruar se nuk është vërtetuar dispozitivi i aktakuzës, sa i përket veprës penale “ keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Osmani, ka deklaruar se në rastin konkret nëse analizohet dëshmia e vetme objektive e Nexhmedin Bunjakut, ku thotë se “Kasimi ishte i qetë, kurse dy personat bënin me gjeste me duar”, sipas tij, rezulton se Hamdi Tërpeza, nuk ka pasur kontakt fizik me të dëmtuarin dhe se Hoxha ka qenë i qetë.

Kurse, sa i përket pjesës së kërcënimeve përmes dy formave, SMS dhe telefonatës, këto janë dy fakte, sipas Osmanit, që sipas aktakuzës, vërtetohen vetëm nga dëshmia e Hoxhës, e jo nga ndonjë provë materiale.

Sa i përket SMS-ve të dërguar, që në aktakuzë shpjegohet si kërcënues, Osmani ka deklaruar se është provë, të cilës është vështirë t’i falet besimi, sepse nuk dihet kur është dërguar, nuk dihet kush është shfrytëzuesi i numrit dhe nuk janë dorëzuar prova për këtë pjesë.

Osmani, ka shtuar se nuk është arritur të vërtetohet vepra penale e keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe mesazhet kërcënuese nuk mund ta vërtetojnë këtë vepër penale. Nëse do të vërtetohej kryerja e ndonjë vepre penale, sipas Osmanit, atëherë ajo do të ishte vepra penale “kanosje”, e për të cilën, sipas tij, është arritur parashkrimi.

I akuzuari, Hamdi Terpeza, ka deklaruar se e mbështet fjalën e mbrojtësit të tij dhe nuk ka të shtoi diçka tjetër.

I dëmtuari, njëkohësisht dëshmitari, Kasim Hoxha ka deklaruar se e mbështet fjalën e prokurorit dhe ka shtuar se ka parashtruar kërkesë pasurore- juridike.

Trupi gjykues, shpalljen e aktgjykimit në këtë rast e ka caktuar më 12 shkurt të këtij viti.

Sipas aktakuzës, Hamdi Tërpeza, si zyrtar në stafin civil të Drejtorisë së Logjistikës në Policinë e Kosovës, me qëllim që vëllau i tij Arton Tërpeza të jap provimin për patentë shofer për kategorinë “B”, duke mos iu nënshtruar fare testit, e kishte kërcënuar përmes një sms-i Kasim Hoxhën, instruktor në auto-shkollën “Anita” në Prishtinë. Gjithnjë sipas aktakuzës, Tërpeza e kishte kërcënuar instruktorin Kasim Hoxha, që i njëjti ta kryej testin me shkrim në emër të vëllait të tij, përndryshe do të shkoj të marr komandantin e Stacionit dhe të kthehet me të, duke i thënë se ia kishte përgatitur vendin që ta lidhë e ta detyrojë për t’ia kryer testin.