Propozimi i Adem Salihajt për demarkacionin me Malin e Zi i pranueshëm nëse do të ketë edhe përkrahje ndërkombëtare

Nga Rexhep Kastrati

Adem Salihaj, kuvendari i LDK-së ka dal me një propozim që të votohet projektligji për demarkacion me Malin e Zi, por me kushtin që të rishikohet pas dy vjetësh. Ky propozim, edhe pse në planin e së drejtës ndërkombëtare ka vështirësi, pasi që bhet fjalë për marrëveshje ndërshtetërore, për rishikimin e të cilës kërkohet pëlqimi i të dy shteteve, megjithatë mund të jetë një bazë për diskutim nëse në këtë mënyrë mund të afrojë palët drejt një konsensusi të përgjithshëm për të tejkaluar ngërçin që ka përfshirë për shkak të pozicioneve të ndryshme të palëve politike në Kosovë. Ajo që mund të thuhet me këtë rast, është fakti se ky propozim është i afërt edhe me koncpetin e AAK-së për këtë çështje, e cila ka kërkuar rishikim të Marrëveshjes dhe dërgimin në Arbitrazh, por edhe me pikën 2 të Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, sipas të cilës “Dispozitat e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, e nënshkruar në Vjenë me datë 26 gusht 2015, nëse ka fakte të reja ligjore, mund të ndryshohen dhe plotësohen me pëlqimin e palëve. Dispozitat e kësaj Marrëveshjeje mund të ndryshohen sipas procedurës së njëjtë të paraparë për miratim”. Pra, propozimi i Adem Salihajt ka shumë gjasa që të afrojë palët, edhe për faktin se është sintetizim i qasjes së AAK-së dhe i pikës 2 të Projektligjit të hartuar nga Qeveria.

Gjithsesi një propozim i tillë do të duhej të kishte edhe mbështetje ndërkombëtare, pasi që Marrëveshja për Demarkacion me Malin e Zi është marëveshje ndërkombëtare dhe e bashkërenduar edhe me bashkësinë ndërkombëtare. Departamenti Amerikan i Shtetit ka dylë dy herë me qëndrime institucionale në mbështetje të versionit aktual të demarkacionit, si dhe një Komision ekspetësh ndërkombëtarë ka konfirmuar gjetjet e Komisionit shtetëror për demrakacion. Pra, në bashkësinë ndërkombëtare është një konsensus i plotë se versioni aktual i demarkacionit me Malin e Zi është në rregull dhe si i tillë edhe duhet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës. Prandaj, edhe një propozim i tillë, që e ka shpërfaqur Adem Salihaj mund të kthehet edhe në një bazë për konflikt të LDK-së dhe të Qeverisë me bashkësinë ndërkombëtare, e që nuk është as në interes të LDK-së, as të Qeverisë, as të Kosovës, dhe në planin rajonal dhe gjeopolitik, as në interes të shqiptarëve në përgjithësi. LDK që nga themelimi ka qenë parti e orientimit gjeopolitik e gjeostrategjik euro-atlantik, parti e bashkëpunimit dhe e bashkërendimit me aleatët stratwgjikë, prandaj edhe nëse një propozim i tillë nuk do të kishte mbështetje të tyre, do të mund të shndërrohej në një faktor të rrezikshëm dhe të dëmshëm për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi.

Prandaj, duke marr parasysh të gjitha këto, dhe duke marr parasysh shmangien e kundërvënies me të drejtën ndërkombëtare dhe me aleatët strategjikë, varianti i propozuar nga Qeveria mbetet varianti më i pranueshëm, si dhe formëson në mënyrë të drejtë, ligjore dhe me frymën e së drejtës ndërkombëtare mundësinë e rishikimit të demarkacionit me Malin e Zi, si dhe ka një pranueshmëri dhe pajtueshmëri edhe nga bashkësia ndërkombëtare.