Protestë në veri për ndryshimet në Polici

13.03.2017 11:33:08

Mitrovicë. Një numër i qytetarëve të Mitrovicës së veriut kanë protestuar të hënën në orët e herëshme të mëngjesit para Staciionit të Policisë në veri të Mitrovicës për shkak të ndryshimeve në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri.

Në protestë merrnin pjesë edhe kryetarët e Mitrovicës së veriut dhe të Zveçanit, Goran Rakiq, përkatësisht Vuçina Jankoviq, si dhe kryetari paralel i Mitrovicës së veriut, Aleksndër Spiriq. Sipas burimeve të gazetës, qytetarët serbë nuk  janë pajtuar me ndërrimet e tre eprorëve të policisë në Drejtorinë Rajlnale të Policisë së Kosovës në veri. Kryetari i Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq u ka thënë gazetarëve se shkaku i protestës  së qytetarëve para Stacionit të Policisë së Kosovës në veri është pakënaqësia dhe shqetësimi për shkak të shkarkimit të katër shefave komandantë të policisë nga rajoni i Mitrovicës së veriut dhe të emërimit të katër eprorëve tjerë në vend të tyre.

Ndryshimet janë bërë pa u konsultuar fare zyrtarët përgjegjës të Policisë në veri të Kosovës dhe pa u konsultuar me pushtetin lokal. Kundër personave që janë shkarkuar nukk është ndërmarrë asnjë masë disciplinore, apo masë tjetër, për të pasur arsye për ndërrimin e tyre”, ka thënë Rakiq. Ai ka shtuar se gjatë ditës, bashkë edhe me drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri, Nenad Gjuriq,  do të ketë takim me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni dhe me ministrin e Punëve të Brendshme, Skender Hyseni nga të cilët do të kërkojë që të pezullohet vendimi për shkarkimin e katër eprorëve të policisë në veri dhe që ata të kthehen në punë në detyrat që kanë pasur.

Protesta, e cila ka filluar në ora 7:15 dhe ka përfunduar në ora 9:00,  ka kaluar e qetë.