Pse mediet dhe portalet e kanë bërë çështje të tyre çështjen e zgjedhjeve?

02.11.2016 13:24:21

Nga Rexhep Kastrati

Në një intervistë për “Kohën ditore” Kadri Veseli pat thënë se nëse ka marrëveshjeve të partive politike, edhe mund të shkohet në zgjedhje. Dhe kjo deklaratë e tij u bë mes tensionesh të raporteve politike në vend dhe në prag të proceseve të tilla gjyqësore si ai për grupin “Drenica 2”, si dhe fillimi i proceseve të tjera të mundshme, deri në fillimin e funksionalizimit të Gjykatës speciale. Por, nëse Kadri Veseli ka shprehur një mendim që mund të përfshihet në një apo dy rreshta, ishin portalet që kujdestarojnë për të bërë puç medatik mbi institucionet, edhe për  shkak të burimeve të finacimit, edhe për shkak të qëllimeve të ndryshme që mund të kenë. Dhe edhe pse kanë kaluar disa kohë që deklarata e Kadri Veselit për zgjedhje është bërë publike, kjo çështje tash është bërë më shumë çështje e portaleve dhe medieve, sesa politike. Kuptohet, partitë opozitare vazhdojnë ta përsërisin kërkesën për zgjedhje, por konotacioni që po i japin mediet dhe portalet, është një konotacion të një lufte të tyre kundër Qeverisë dhe kundër LDK-së. Se është kështu, dëshmon edhe fakti se këto medie dhe portale vazhdojnë t’i bëjnë jehonë një deklarate një apo dyrreshtëshe të Kadri Veselit, por jo edhe deklaratave të zyratrëve të lartë të LDK-së dhe të Qeverisë së Kosovës. Pra, angazhimi i medieve  dhe i portaleve është anagzhim i tyre, dhe çështja e zgjedhjeve është bërë çështje e tyre, që nuk ndodh në ndonjë vend të botës demokratike. Në këtë ka shumë faktorë: disa për shkak të ambicies personale për t’u futur në politikë, disa të tjerë për shkak të interesave biznesore lidhur me terminale dhe me lloje të tjera të biznesit; disa për shkak se janë rekrutë shërbimesh të ndryshme sekrete; disa të tjerë për shkak se bëjnë punën e partive të ndryshme, kryesisht të orientuara kundër LDK-së dhe kryeministrit Mustafa, disa se vetë janë pjesë e strukturave mafiozo-politike. Por asnjë arsye nuk ka që të jetë në interes të vendit, të stabilitetit të tij dhe të realizimit të proceseve pozitive për vendin dhe për qytetarët. Është kështu për faktin se nuk ka asnjë interes për vendin dhe për qytetarët që të ndërpritet qeverisja e vendit dhe të hyhet në një krizë politiko-insitucionale, ndërkohë që vendi ka zënë të stabilizohet në aspektin e cilësisë së qeverisjes, janë bërë shumë hapa pozitivë në drejtim të avancimit dhe të përbylljes së disa proceseve të rëndësishme për vendin: është përmbyllur aspekti ligjor i çështjes së Trepçës, është vënë rregull në menaxhimin e financave dhe të agjensive të ndryshme shtetërore, dhe po bëhet punë për krijimin e një mjedisi të përshtatshëm për investime kapitale dhe strategjike dhe për investime të huaja. Ligji për investime strategjike, ka hapur rrugë dhe mundësi për të bërë investime të rëndësishme për vendin si dhe për të tërhequr investitorë të huaj. Ka filluar, ndonëse me vështirësi, edhe lufta kundër krimit të organizuar që do të ndihmojë në çkapjen e shtetit, si dhe në fuqizimin e shtetit ligjor, por gjithsesi edhe në zbardhjen e vrasjeve politike. Po ashtu, është në rrugë të mbarë procesi i shndërrimit të FSK-së në FA, do të provohet që Kosova të anëtarësohet në UNESCO, si dhe të çojë përpara zbatimin e MSA-së. Në fakt, nënshkrimi i marrëvshejs së MSA-së është një nga punët e mira që janë kryer dhe që gjithsesi do të ketë efekt në procesin e afrimit me BE-në. Liberalizimi është një çështje që po pret zgjidhje dhe që ka mbetur peng dhe mundësi e shantazhimit të shtetit, pasi që si çështje do të jetë edhe po u mbajtën zgjedhjet sot, dhe do të ketë të njëjtin përfundim, në mos edhe më të keq. Në aspektin social, tashmë është bërë kategorizimi i përfituesve të pensioneve dhe të mbështetjes ekonomike, dhe në vitin që po vjen, edhe mund të ketë rritje të përfitimeve nga këto kategori. Buxheti i parashikuar për vitin 2017 është një buxhet shumë i veçantë jo vetëm pse do të jetë më i madh, por për faktin se do të jetë një buxhet i zhvillimit dhe i avancimit, përkatësisht i përmbylljes së proceseve të ndryshme shumë të rëndësishme për vendin, ndër të cilët është edhe transformimi i FSK-së në FA, qoftë me ndryshime kushtetuese, qoftë me rishikim të ligjit për FSK-në. Pas ligjit për Trepçën dhe ligjit për investime straegjike, çështja e transformimit të FSK-së në FA është një nga çështjet kryesore në Kosovë, edhe në aspektin e përmbylljes së shtetndërtimit të Kosovës. Viti 2017 do të duhej të ishte vit i një ballafaqimi të Serbisë me kapitullin 35, përkatësisht me zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit, e që do ta vinin në siklet shtetin serb, për shkak se moszbatimi i tyre, do ta identifikonte si shtet problematik që bllokon stabilitetin dhe paqen në rajon, si dhe do të ballafaqohet me pasoja për këto. Në aspektin diplomatik, për Kosovën nuk është çështja më e rëndësishme as çështja e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, as liberalizimi i vizave, por vënia e Serbisë përballë përgjegjësive për moszbatimin e marrëveshjeve të Brukselit. Është kështu për faktin se anëtarësimi në UNESCO është çështje numrash, dhe që varet shumë pikërisht edhe nga stabiliteti i brendshëm. Po kështu, edhe liberalizimi i vizave është çështje numrash, pra çështje e votimit të demarkacionit me Malin e Zi që duhet të bëhet në Kuvendin e Kosovës. Kurse çështja e vënies së Serbisë përballë përgjegjësive për moszbatimin e kapitullit 35 të BE-së dhe të marrëveshjeve të Brukselit është çështje edhe e fitores diplomatike ndaj Serbisë, edhe çështje e ballafaqimit me BE-në dhe me SHBA-të, të ngjashëm sikurse që e ka pasur Serbia gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar. Identifikimi i Serbisë së shtet që nuk zbaton marrëveshjet, do të thotë identidikim i saj si shtet që është kundër stabilitetit dhe paqes në rajon. Në kushtet kur zhvillimet gjeopolitike e gjeostaregjike po shquhen për tensione raportesh aleatësh dhe kundërshatrësh, kur po shfaqen forma ndër më të ndryshme që cenojnë paqen dhe stabiltetin botëror, identifikimi i Serbisë si shtet që nuk zbaton marrëveshjet dhe që nuk kontribuon për paqe dhe stabilitet rajonal, do të ishte vendosje e saj në kontekstin gjeopolitik e gjeostrategjik destabilizues dhe kundër paqes dhe destabilitetit rajonal dhe më gjerë. Klithmat e Serbisë se nuk prishen me Rusinë, janë shumë të favorshme për Kosovën, ashtu sikurse rezistenca që po bën Beogradi për çështjen e telekomit. Dhe Serbia gjatë vitit 2017 do të jetë gjithnjë e më shumë në pozitë të lëshojë këso klithmash, si dhe të rezistojë ndaj çështjeve të ndryshme, dhe ky është shans i Kosovës për të shënuar fitore diplomatike që do t’ia bënte më të lehta edhe proceset e brendshme që i përmenda më lartë, edhe proceset e afrimit me BE-në dhe forcimin e lidhjeve me partnerët tanë strategjikë, edhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Edhe vetë Serbia çështje parësore ka që të bëjë që Kosova të identifikohet si moszbatuese e marrëveshjeve të Brukselit, si dhe të konsiderohet vend që cenon paqen dhe stabilitetin në rajon. Pra, Serbia vetë po angazhohet që Kosova të ballafaqohet me përgjegjësinë e moszbatimit të marrëveshjeve, e që mund të bëhet vetëm nëpërmjet bllokimit të shtetit, rrëzimit të institucioneve të tij dhe destabilizimin e tij. Prandaj edhe anagzhohet fort për destabilizimin e Kosovës. Së këndejmi, për të gjitha këto dhe shumë arsye të tjera, Kosova ka nevojë për stabilitet, ka nevojë për bashkërendim të fortë me aleatët tanë straegjikë, e jo të mendojë se si të zë thua dhe t’ia thyejë qafën vetes në aventura të rrezikshme. Dhe pseudoanalistët që rrëzohen për tokë dhe dalin si karikatura që bëjnë edhe fëmijët të qeshin, por që zënë hapësirën e plotë mediatike, duhet t’i dinë të gjitha këto, ashtu sikurse mediet dhe portalet duhet të kenë kujdes që të mos e ngarkojnë veten me gjynahe të tjera, përveç atyre që e kanë ngarkuar tashmë. Çështja e zgjedhjeve nuk është çështje e medieve dhe e portaleve, por është çështje politike e partive dhe e institucioneve të shtetit, dhe është çështje e interesave strategjike për vendin. Dhe pseudoanalistët injorantë, si dhe mediet e portalet janë të thirrur që të kryejnë funksionet  e tyre: informimin e drejtë dhe krijimin e opinionit konstruktiv, e jo të bëhen pjesë e skenarëve për rrëzimin e institucioneve të vendit dhe destabilizimin e tij.