Qytetarët e Shkupit kërkojnë masa kundër ndotjes së ajrit (Video)

16.12.2016 21:26:26

Qytetarët e Shkupit në mënyrë kronike duke filluar nga nëntori e deri në dy-tre muajt e ardhshëm ballafaqohen me ajër të papastër, kurse prej para pak kohësh për këtë, qytetarët disponojnë edhe me vërtetime mjekësore se ajri i ndotur është ndër shkaktarët kryesorë  i shumë sëmundjeve.

Monitorimi elektronik i ndotjes në lagjet e ndryshme, tregon se  niveli i ajrit të ndotur është i përmasave të mëdha.  Për shkak të kësaj, autoritetet lokale janë duke kërkuar zgjidhje duke u mbështetur në përvojat e qyteteve tjera gjithandej në  botë.

“Në Shkup ajri është shumë i ndotur. Rëndë është sepse nuk ndërmerren masa. Mungon bukur shumë gjelbërimi i cili ndikon për uljen e ndotjes. Kanë mbjellë tjera, por derisa të rriten do të kalojë shumë vite”, u shpreh Todor Kërstevski, qytetar.

“Ajri është tej mase i ndotur, definitivisht duhet të ndërmerren masa. Kjo e gjitha duhet pastruar me qëllim që të jetojmë siç duhet.”

“Në botë ka shumë zgjidhje të dobishme, por megjithatë do të duhej që kryetarët e qytetit të kujdesen më shumë. Ashtu siç kanë shpenzuar shumë para për shumë punë tjera, duhet të shpenzojnë gjithashtu edhe për blerjen e ndonjë instalacioni për pastrimin e ajrit”, u shprehën disa qytetarë për Tv21.

“Më shumë kemi prerë drunj sesa kemi mbjellë, duhet përfundimisht të ndërmerren masa rigoroze. Ja çmimet e benzinës rriten, kurse të gjithë përsëri lëvizim me vetura”, tha Radmilla Pavllevska, qytetare.

Gjetjet e ekspertëve të Institutit finlandez për meteorologji dhe Agjencisë austriake të Mjedisit Jetësor thonë se grimcat PM në ajër kryesisht janë rezultat i oxhaqeve të amvisërive, madje sipas këtyre të dhënave amvisëritë ndikojnë me 32 përqind në ndotjen e ajrit. Vijojnë mjetet e komunikacionit rrugor me 20 përqind, pastaj industria me 18 përqind. Ndërkaq, këtu bën pjesë edhe pluhuri i punimeve të ndërtimtarisë. Kryetari i komunës së Shkupit thotë që administrata e cila udhëhiqet prej tij është duke punuar në lidhje me këtë problem që i tangon të gjithë qytetarët e kryeqytetit të Maqedonisë. Ai njëherësh u bëri thirrje të gjithë komunave tjera të Shkupit të kontribuojnë më shumë.

“Marrim pjesë në shumë projekte evropiane përmes së cilave e dimë rrugën nëpër të cilën duhet të ecim. Kemi nisur procedurë për blerjen e 50 autobusëve elektrikë, me çka ndjeshëm do të reduktohet ndotja e ajrit nga transporti publik”, u shpreh Koce Trajanovski, Kryetar i Qytetit të Shkupit. 

Eksperti nga Finlanda, Erki Parjalla thekson se materialet ngrohëse duhet ndërruar me peleta, kurse autobusët e vjetër duhet t’i zëvendësojmë me autobusë ekologjikë me qëllim ndryshimin e vetëdijes së popullatës për përdorim sa më të shpeshtë të transportit publik.

“Zhvillimi i komunikacionit rrugor duhet të lëvizë në drejtim i cili do të lejojë lirimin e zonave të qytetit ku ka trafik të ngarkuar. Ndërkaq, gjithashtu e rëndësishme është edhe promovimi i kulturës së çiklizmit, ecjes dhe ngjashëm”, tha Erki Parjalla, Finlandë – Qendra Rajonale për Ambient Jetësor.

Përndryshe, sipas përvojave të qyteteve tjera evropiane që e kanë zgjidhur problemin e ndotjes së ajrit, nuk duhet të jemi optimistë. Rezultatet tregojnë se qytetarët e Shkupit me gjasë do të vazhdojnë të thithin ajër të papastër edhe në dy dekadat e ardhshme./Telegrafi/