Raketa e lëshuar nga Koreja e Veriut: Do godasim SHBA-të

29.11.2017 09:24:54

Ashtu siç ishte njoftuar sot më herët nga agjencitë ndërkombëtare të lajmeve, Koreja e Veriut ka lëshuar një raketë të re balistike.

Lajmi u njoftua nga agjencia shtetëror koreano-jugore e lajmeve “Yonhap”, duke cituar zyrtarë të lartë të ushtrisë së Koresë së Jugut.

Raketa balistike shpërtheu në Detin e Japonisë, sipas ushtarakëve të Koresë së Jugut, atyre japonezë dhe amerikanë.

Pas lëshimit të rakeetës, Koreja e Veriut njoftoi se tashmë është një “shtet bërthamor”, duke kërcënuar se “i gjithë territori amerikan ështtë nën shënjestër”. Testi, sipaas Phenianit ka qenë “një sukses historik”.

Pentagoni njoftoi se sipas një vlerësimi fillestar raketë ishte balistike ndërkontinentale (ICBM).

Shefat e Përbashkët të Shtabit të Koresë së Jugut ishin të parët që raportuan për lëshimin e raketës.

Sipas vlerësimeve të ushtarakëve të Koresë së Jugut, raketa u lëshua drejt lindjes nga Pyongsongu, një provincë në Pyonganin Jugor.

Pentagoni njoftoi menjëherë se është duke vlerësuar lëshimin “e mundshëm”, që thuhet të ketë ndodhur rreth orës 3:30 të mëngjesit me orën lokale, ose 19:30 me orën tonë. Sipas Pentagonit, raketa udhëtoi rreth 1.000 kilometra përpara se të përplasej në ujërat e Detit të Japonisë.

Zyra e kryeministrit japonez njoftoi se raketa e Koresë së Veriut me sa duket u përplas në ujërat e Japonisë, brenda zonës ekonomike ekskluzive të vendit. Kryeministri japonez urdhëroi një takim urgjent të ministrave të kabinetit, sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Kabinetit qeveritar të Japonisë, Yoshihide Suga.

Pas nisjes së Koresë së Veriut, ushtria e Koresë së Jugut organizoi një stërvitje me raketa “precize”, njoftoi agjencia e lajmeve Yonhap, duke cituar ushtrinë e Koresë së Jugut.

Kjo lëvizje e shtetit komunist vjen rreth 45 ditë pasi Koreja e Veriut bëri testin e fundit raketor.