Rama mbron reformën në arsim: Frytet do të ndihen pas disa vitesh

15.10.2016 14:35:14

Kryeministri socialist Edi Rama vazhdon të këmbënguli se Reforma në Asimin e Lartë në Shqipëri, ka shënuar një kthesë historike edhe për arsimin e mesëm.

Duke folur në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Universitetit Mesdhetar, një institucion privat i arsimit të lartë, zoti Rama shprehu bindjen se frytet e reformës në arsim do të ndihen pas disa vitesh.

“Ne jemi sot në një moment historik për arsimin e lartë pasi ka filluar zbatimi i një reforme rrënjësore që ndan të shkuarën nga e ardhmja. Është një reformë e thellë, zbatimi i të cilës nuk është i lehtë dhe frytet e të cilës do t;i shikojmë në vite”,tha zoti Rama.

Sipas tij në universitet sot regjistrimi po bëhet me radhë dhe radhën po e percakton merita.

“Më të mirët përpara, të tjerët pas tyre, të papenguar, të pabllokuar, të papërjashtuar nga asnjë fuqi tjetër, as nga miku, as nga fisi, as nga partia, as nga leku, as nga shanci qorr i tjetrit”, tha kryeministri.

Sipas tij ky është një proces ku secili mund të marrë vendin që i takon, por askush nuk mund ti zërë tjetrit vendin duke përdorur fuqi jashtë meritës së vet.

“Kjo reformë e vendos fatin e secilit, në duart e secilit. Që kur hyn në shkollë të mesme çdo nxënës dhe nxënese e ka në dorë fatin e vet dhe e vendos përmes rezultateve të veta. Kjo është një reformë që nuk përcakton një cilësi të re, po është edhe kthesë historike për shkollën e mesme”, këmbënguli në fjalën e tij kryeministri Edi Rama.