Rama tërheq publikisht padinë ndaj Ramush Haradinajt

Rama tërheq publikisht padinë ndaj Ramush Haradinajt

30.06.2020 14:32:02

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama publikisht ka njoftuar se do të tërheq padinë për shpifje që i ka bërë ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Do ta tërheq padinë jo se është e vogël për mua, por sepse është shumë më e madhe ajo që sot duhet të bashkoj të gjithë. Nuk e di çfarë roli ka tërheqja e padisë për rolet mes nesh, për më tepër me padi e pa padi, me shpifje e pa shpifje, Ramush Haradinaj nuk është kryeministri, politikani, por është një prej figurave historike, nga ai vend nuk mund ta heq askush, sado kryeministër i keq që të jetë. Padia do të tërhiqet zyrtarisht”, tha Rama.

“Megjithatë, Ramushit i kam kërkuar takim si të gjithë të tjerëve, për të shkuar për ta vizituar në selinë e tij, aspo në shtëpinë e tij apo selinë e tij kudo që ta dëshironte, siç pata kënaqësinë ta vizitoja edhe Isa Mustafën sot në shtëpinë e tij. Si paditës, që shkon tek i padituri, besoj që nuk ishte ai që ulej duke më hapur derën, për më tepër që do të doja ta takoja, për të diskutuar për diçka shumë më të madhe se une se Ramushi e se të gjithë ne”, tha Rama.

Në janar të këtij viti, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë padi ndaj homologut të tij Ramush Haradinajt, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Padia e Edi Ramës, e cila përmban mbi 30 faqe, pretendon se Haradinaj ka shpifur ndaj Ramës, për deklaratat e tij që i ka dhënë në lidhje me temën e shkëmbimit të territoreve dhe për të cilën kërkon kompensim të dëmit.

Haradinaj deklaroi mbrëmë se është shprehur një interesim për takim me Edi Ramën por vet ish-kryeministri ka refuzuar.

“Është e pamundur me u takua i padituri me paditësin. Kjo s’ka kurrfarë logjike. Nuk ndihem mirë që si i paditur të takohem me askënd e as me zotin Edi Rama”, tha ai

E pas këtyre fjalëve takimi mes Ramës e Haradinajn nuk u zhvillua.