Rekrutët e rinj të FSK-së fillojnë trajnimin bazik në Ferizaj

10.06.2019 14:16:05

Në përputhje me Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, Ministria e Mbrojtës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës kanë filluar fushatën e rekrutimit për pjesëtarët e rinj të FSK-së.

“Pas disa proceduarve të rekrutimit, fazave testuese dhe seleksionuese të një numri mjaft të madh të konkurruesve, FSK-ja ka arritur të përzgjedhë 649 rekrutë, të cilët me sukses i kanë kaluar të gjitha këto faza.

Ndërkaq, sot në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes, përkatësisht në kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj, ka filluar faza e parë e trajnimit për grupin e parë të rekrutëve prej 350 pjesëtarësh e cila do të zgjasë nëntë (9 ) javë.

Rekrutët u priten nga komandantët e kompanive, të cilët pasi iu uruan mirëseardhje rekrutëve të rinj të FSK-së, në pika të shkurtra i njoftuan edhe me rregullat e përgjithshme të Qendrës së Trajnimit”, thuhet në njoftimin për media.

Me pas, rekrutët, të udhëhequr nga instruktorët e tyre, vazhduan sistemimin në Qendrën për Stërvitje të KDS, duke u pajisur me uniforma ushtarake për të vazhduar me angazhimet e tyre ditore dhe testimet fizike gjatë trajnimit bazik në këtë qendër.

Në kuadër të planit të trajnimeve, grupi i dytë i rekrutëve do të fillojë trajnimin në muajin shtator, me qëllim të plotësimit të strukturës së FSK-së me personel të trajnuar dhe të gatshëm për të përmbushur misionin dhe detyrat e FSK-së.