Roli i prindërve në respektimin e zakoneve ushqyese nga fëmijët e tyre

09.03.2018 18:43:39

Prindërit duhet t’i mësojnë fëmijët  e tyre se si të praktikojnë zakonet e shëndetshme. Gjithçka që një fëmijë ha, duhet të jetë e shëndetshme. Ata mund të jenë nazeli dhe me oreks të lëkundshëm, prandaj ju takon prindërve që të kujdesen se gjithçka që konsumojnë fëmijët, është me të vërtetë e shëndetshme.

 

AJSHE LEKA:

 

Zakonet ushqyese të fituara në fëmijëri, zakonisht mbeten edhe në moshë të rritur, prandaj është e rëndësishme t’iu mësohet fëmijëve që në moshë të hershme si mund të zgjedhin më të mirën nga ushqimet për vete.

 

Mund të themi lirisht se gabimi më i madh i prindërve, është se fëmija i tyre “vuan” nga konsumimi i një sasie të madhe ushqimesh, që nga mosha e re, nga frika se mos mbeten të uritur dhe kjo shprehi mund korrigjohet vështirë më vonë.

 

Një nga arsyet më të zakonshme përse fëmijët janë obez është: ushqimi i parregullt dhe jo i drejtë si dhe aktiviteti fizik i pamjaftueshëm dhe për faktin se fëmijët kalojnë shumë kohë në  karrige përballë një kompjuteri ose televizori, me një shtojcë të detyrueshme të ushqimeve biologjikisht të varfra, të ashtuquajtura ushqime jo të shëndetshme (patatina, fastfood, ëmbëlsira, pije të gazuara, etj.)

 

Obeziteti te fëmijët ka efekte shumë negative, në radhë të parë për shëndetin, por edhe në zhvillimin psikik e fizik të tyre. Fëmijët obez mund të kenë probleme të rënda shëndetësore më vonë, siç janë: diabeti, presioni i lartë i gjakut, infarkti, goditje në tru, probleme të mëdha presioni, kolesterol dhe trigliceride.

 

Për shkak të obezitetit, ata shpesh anashkalohen dhe janë të ngacmuar nga fëmijët tjerë. E gjithë kjo mund të ketë ndikim në psikikën e tyre, duke rezultuar me pasoja shumë serioze, sidomos gjatë periudhës së pubertetit. Nga kjo shohim se obeziteti i fëmijëve duhet të merret shumë seriozisht dhe të trajtohet si duhet.

 

Është me rëndësi të theksohet se duhet pasur kujdes edhe te fëmijët e kequshqyer.

 

Këta fëmijë janë shumë të dobët, sepse edhe përkundër që janë shumë aktivë, ata nuk konsumojnë kalori dhe ushqyes të mjaftueshëm në dietën e tyre, si proteina, vitamina dhe minerale. Ky problem nuk duhet të injorohet, sepse fëmijët e tillë mund të hyjnë në një deficit të lehtë, i cili reflektohet përmes rakitisit, rritjes së pamjaftueshme, anemisë, uljes së imunitetit, infeksione të ndryshme etj.

 

Nëse jeni prind i një fëmije i cili shkon në shkollë, duhet të jeni të interesuar që fëmija juaj t`i respektoj tri vaktet kryesore siç janë: mëngjesi, dreka dhe darka. Për fëmijët është e vështirë të mbulohen nevojat ushqimore vetëm me tre vakte në ditë. Prandaj është e nevojshme që atyre t`u shtohen edhe dy mini vakte të tjera, mes vakteve kryesore, me qëllim plotësimi të nevojave të veçanta të kësaj moshe për kalori dhe nutriente, por duke bërë kujdes që këto vakte të jenë të lehta dhe të mos çojnë në uljen e oreksit për vaktin kryesor. Fëmijët duhet të inkurajohen për konsumimin e sasive të mjaftueshme të ushqimeve të pasura me energji dhe nutriente, pa lënë pas dore asnjëherë frutat dhe perimet.

 

Fëmijët e uritur zakonisht janë nervozë dhe më pak të koncentruar në kohë.

Kujdesuni për dietën e fëmijëve tuaj, sepse është një nga faktorët më të rëndësishëm për rritjen dhe zhvillimin e duhur të tyre, si dhe parandalimin e sëmundjeve të ndryshme që lidhen me ushqimin e parregullt dhe jo të drejtë, sidomos kur bëhet fjalë për të rinjtë që ende nuk kanë arritur zhvillimin e tyre të plotë.

 

Kësisoj ata zhvillojnë zakone pozitive që sjellin një mënyrë jetese më të shëndetshme, ndërsa rriten dhe më vonë zvogëlojnë mundësinë e sëmundjeve të lidhura me të ushqyerit jo të drejtë.

Në mënyrë që fëmija të rritet siç duhet, duhet të ketë të gjithë ushqyesit e domosdoshëm makro dhe mikro në dietën e përditshme, racione të balancuara me karbohidrate, proteina dhe yndyra të shëndetshme, si dhe vitamina dhe minerale të caktuara.

 

Ju, gjithashtu duhet të aktivizoheni më shumë rreth  aktiviteteve të tyre, të tilla si të luani me ta më shpesh, duke shkuar në një shëtitje në natyrë si dhe duke u interesuar për angazhimin e tyre në ndonjë nga aktivitetet sportive.

 

(Autorja është konsulente për nutricion dhe dietologji  fb.com/nutricistedietologe)