Rritet numri i të prekurve me Malarie në Maqedoni (Video)

05.08.2016 08:53:15

24 vjeçari nga Tetova që ishte për punë të përkohshme në shtetin Mali, Afrika Perendimore, me vete ka bartur virusin e malaries për të cilën ka kërkuar shërim në Maqedoni dhe është hospitalizuar në karantin ku edhe ka filluar faza e parë e shërimit.

Pas kontrollit në Tetovë ai me urgjencë është dërguar në Shkup ku është diagnostifikuar me llojin më të rëndë të Malaries.

Gjendja shëndetësore është stabilizuar pas marrjes së terapisë.

Gjatë bisedës me mjekun ai ka konstatuar se ka anashkaluar marrjen e barnave kundër kësaj sëmundje para se të niset në këtë shtet afrikan.

5 të prekur deri në fund të muajit maj, vitet tjera ka pasur 3-4 raste në vit

Deri tani në Maqedoni deri në fund të muajit maj në Maqedoni janë regjistruar 5 raste me këtë sëmundje që vjen nga mushkonjat. Nga 5 rastet e zbuluara një njeri ka vdekur.

”Nëse deri tani kemi pasur 3 apo 4 raste me këtë sëmundje për një vit, tani kemi 5 raste 5 raste për pesë muaj. Nga këto pesë raste askush nuk ka pranuar vakcinë apo terapi kundër Malaries. Këto persona kanë punuar në Afrikën Jugore, Afrikën Perendimore, Siera Leone, Angola apo edhe Mali. Kjo është sëmundje e rrezikshme e cila mund të ju lë pasoja serioze dhe komplikime që çojnë deri në vdekje.” thotë epidemiologu Zharko Karaxhovski nga Instituti për Shëndet Publik, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Të prekurit nga Malaria janë të moshës nga 21 deri në 35 vjet dhe me prejardhje nga qytetet Tetovë, Gostivar, Shkup dhe Kumanovë.

Epidemiologët japin alarmin deri tek kompanitë që regrutojnë punëtor që të kryejn kontrollet adekuate dhe të ju japin terapi punëtorëve para se ata të nisen për punë në vendet e lartëpërmendura.

Malaria vazhdon të prekë vendet e varfra, duke shkaktuar çdo vit vdekjen e 1 milionë vetave. Nga malaria rezultojnë të prekur rreth 500 milionë njerëz në botë dhe rreth 2 milionë të vdekur çdo vit.