Rugova qante për fatin e Kosovës, Thaçi qan për fatin e Serbisë!

08.01.2019 21:16:53

Nga: Enver Bytyçi

Ramush Haradinaj në intervistë për mediat në Kosovë ka thënë se kur shkova e i dhashe doreheqjen presidentit Rugova, e gjeta “tuj kajte”! Sipas tij, presidenti i kishte thote Haradinajt se “Nuk po kaj per ty, por se s’po dojne me na lane rehat”!

Që në vjeshtë të vitit 2005, kur erdha nga Gjermania në Prishtinë për promovimin e librit tim “Shqiptarët, serbët dhe grekët”, miku im Milazim Abazi, më pati thënë se i vetmi person që presidentit Rugova i ka qëndruar pranë ditë e natë në kohën e vuajtjes së tij prej kancerit ishte Ramush Haradinaj.

Por ajo që deklaroi dje Haradinaj është mesa duket një përputhje e asaj që më kishte treguar Milazim Abazi para më shume se 13 vitesh. Megjithatë nuk dua të merrem më shumë me këtë pjesë të historisë së marërdhënieve idis Ibrahim Rugovës dhe Ramush Haradinajt. Thjesht më duhet të vë në dukje diferencën e dukshme e të qartë midis presidentit të atëhershëm, Ibrahim Rugova, më atë të presidentit të sotëm, Hashim Thaçi.

Ndërsa Rugova lexonte dhe kuptonte me shqetësim të thellë çdo intervenim të ndërkobëtarëve për fatin e Kosovës, Hashim Thaçi sot lufton, punon e vepron me të gjitha mjetet e forcat që ta caktojë fatin e Kosovës përmes bashkëpunimit dhe ndihmës që kërkon te të gjithë ish-kundërshtarët e pavarësisë e të lirisë në Kosovë. Ai rend si marathonomak për të takuar të gjithë ata që e mbështesin për ndarjen e Kosovës. Kur ishte në Paris investoi presidentin e Serbisë që të takonte e ta garantonte presidentin e Rusisë për vendosmërinë e tij në shërbim të Serbisë së Madhe. Thaçi shkoi deri në Armeni që t’ia shfaqte vendosmërinë e tij Macronit se “po punon më të gjitha mjetet për realizimin e planit serb të ndarjes së Kosovës”!

Ndërsa Rugova, megjithëse i ftuar dhe i ndërmjetësuar nga Behgjet Pacolli, nuk pranoi asnjëherë të takohej me Boris Jelcinin, edhe pse ky ishte shumë më afër qëndrimeve të Perednimit për Kosovën, sesa pasardhësi i tij, Vladimir Putin. Rugova rendi dhe foli paprerë për lirinë e pavarësinë e Kosovës me autoritetet më të larta proKosovë në Europë e SHBA. Ndërsa Hashimi i sotshëm investon aq shumë për të takuar ish-eksponentë kundështarë të pavarësisë së Kosovës, me qëllim që të marrë mbështetjen e tyre për ndarjen e vendit.

Rugova takoi në kohën e tij kryetarët e shteteve dhe qeverive më të rëndësishme në planet (Europë-SHBA) për të promovuar pavarësinë e vendit të tij. Hashim Thaçi sot ka si adresë Jon Bolton e miqtë e tij kudo në botë, të cilët asokohe ishin e sot janë kundërshtarë të pavarësisë së Kosovës, për të promovuar ndarjen, copëtimin dhe shpërbërjen e shtetësisë së Kosovës.

Ndërsa Ibrahim Rugova derdhte lot për fatin e luftëtarëve të UÇK-së, sepse e shihte ndëshkimin e tyre të lidhur me fatin e Kosovës, Hashim Thaçi i ka çuar vetë me duart e tij shumë komandantë të UÇK-së prapa hekurave në Hagë e në gjykatat e tjera, vetëm që t’i shërbejë fatit serb të Kosovës dhe interesave të tij personale.

Këto janë disa argumente dhe arësye më shumë pse politika e Kosovës duhet të bashkohet. Nëse jo, së paku të ndahet e të dihet se kush është idhtar i lirisë, pavarësisë e shtetësisë së Kosovës në territorin e trashëguar prej ish-Jugosllavisë dhe kush është kundërshtar i lirisë, pavarësisë dhe shtetësisë së saj.

Të parët janë ata që respektojnë idetë e ndritura dhe veprën e jashtëzakonshme të presidentit historik, Ibrahim Rugova. Të dytët janë reparti ushtarako-politik i Beogradit në Prishtinë me Hashim Thaçi realizator e Edi Ramën ideator, që punon për llogari të Serbisë, Rusisë dhe të gjithë kundërshtarëve të lirisë, pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës!

Nëse persidenti Trump i bashkohet repartit serb për shkak të ndikimit te ai të kundërshtarëve të pavarësisë e lirisë së Kosovës në Amerikë, rugovianët dhe shqiptarët duhet ta refuzojnë çdo këshillë të presidentit amerikan, nëse ajo vjen si këshillë për ta krijuar Serbinë e Madhe të Aleksandër Vuçiq, Hashim Thaçit dhe Edi Ramës! Sepse Amerika është edhe atyre që e kanë çliruar Kosovën dhe nuk është vetëm e atyre që ishin kundërshtarë të NATO-s në Kosovë e që për fatin e keq tonin sot kanë fituar pozita në administratën amerikane.

Tirane, 08,01.2019