Sanchez larg Arsenalit, gati “lufta” për kilianin

01.03.2017 18:52:21

Aventurës së Alexis Sanchez te Arsenali duket se po i vjen vërtet fundi. Tabloidi britanik “Daily Star” është i sigurt për këtë teksa publikon artikullin me titullin Lamtumirë Alexis duke nënkuptuar dëshirën e futbollistit për të lënë Londrën  dhe për t’u kthyer në Spanjë.

Një situatë kjo që do të bëjë që gjatë verës të hapet një ankand mes klubeve për të siguruar shërbimin e sulmuesit kilian. Në La Liga skuadrat që synojnë të marrin Sanchez janë Sevilla dhe Atletico Madrid. Skuadra andaluziane është më e favorizuar në këtë pikë, pasi Sanchez nuk e fsheh dashurinë për të punuar sërish me Jorge Sampaolin si në kohën kur argjentinasi drejtonte Kilin. Ndërsa Atletico e dëshiron ta sjellë në Madrid Sanchez për të plotësuar një dëshirë të trajnerit spanjoll.

Sanchez ka një kontratë me arsenalin deri në vitin 2018 dhe përfiton 6 milionë euro në sezon, ndërkohë që vlera e kartonit të tij kap shifrën 40-50 milionë Euro. Sevilla dhe Atletico nuk janë të vetmet që kërkojnë të blejnë futbollistin kilian. Sanchez është një prej objektivave të merkatos edhe të Paris Saint Germain me francezët që kërkojnë të formojnë një dyshe sulmuese me të dhe Cavanin.

Tjetër skuadër që është vënë në ndjekje të 28-vjeçarit është edhe Juventus. “Zonja e Vjetër” do të kërkojë që të shfrytëzojë të ardhurat që pret të përfitojë nga shitja përfundimtare e Koman apo Zazës për të bërë tentativën e saj për të sjellë në Torino Sanchez për të  krijuar një treshe ëndrrash me Dybala-n dhe Higuain.