Shantazhi i Edi Ramës për të kapur drejtësinë

08.12.2017 09:33:30

Edi Rama s’po pyet as për kushtetutë e as për reformë në drejtësi dhe ka angazhuar krejt drejtuesit e grupit të tij parlamentar që të përdorin Kuvendin si mashë për kapjen e të gjitha institucioneve. Në mënyrë antikushtetuese dhe në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit, Komisioni parlamentar i Ligjeve ka nisur procedurat për zëvendësimin e Prokurorit të Përgjithshëm, ndërkohë që në të njëjtën ditë, mashat e Edvinit në parlament lajmërojnë edhe hedhjen e shortit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Teksa sheh se si perandoria e ngritur prej drogës dhe krimit po i demaskohet, kryeministri duket se ka vendosur të përdorë çfarëdolloj shantazhi që të kapë zyrën e prokurorit të përgjithshëm

Pyetja e Ditës: Pse heshtin ndërkombëtarët, kumbarët e reformës, për sjelljen antikushtetuese të kryeministrit Rama?

Ashtu siç kemi thënë edhe më parë, mazhoranca qeverisëse është e vendosur për të kapur sistemin e drejtësisë. Në mënyrë antikushtetuese, ditën e djeshme, Komisioni parlamentar i Ligjeve ka zhvilluar mbledhjen e radhës, ndërsa ka lajmëruar nisjen e procedurave për zëvendësimin e Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, të cilit i mbaron mandati. Mazhoranca ka deklaruar se do të zgjedhë një prokuror të përkohshëm deri në ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ndërsa opozita e ka kundërshtuar këtë propozim. Sipas përfaqësuesve të Partisë Demokratike me këtë zgjidhje antikushtetuese maxhoranca ka për qëllim të kapë Kryeprokurorin dhe të mbyllë dosjet e krimit. Drejtoria për Monitorimin e Institucioneve të Pavarura në Kuvend, në një memo drejtuar Komisionit të Ligjeve, bën të ditur se Adriatik Llallës i përfundon mandati në 7 dhjetor, ndërsa shprehet dakord me zgjedhjen e një prokurori të përkohshëm, por saktëson se për zgjedhjen e tij duhet shumicë e cilësuar prej 84 votash. Kjo taktikë e mazhorancës është një tjetër veprim flagrant në shkelje të hapur të kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Ashtu siç është taktikë uzurpuese, hedhja e shortit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Sipas thirrjes së Manjës, shorti kërkohet të hidhet urgjent ditën e sotme nën drejtimin e Zëvendëskryetares së Kuvendit, Vasilika Hysi. Këto taktika tregojnë se kryeministri është i vendosur për të vendosur nën kthetrat sistemin e drejtësisë. Kjo nuk është e re çka po ngjet, as për shqiptarët dhe as për opozitën. Ka kohë që Edi Rama dhe qeveria e tij e krimit është e vendosur për të pasur nën ‘hyqmin’ e vet drejtësinë, pasi në këtë mënyrë do të mund të ‘fshijë’ të gjitha dosjet e krimit që implikojnë drejtpërdrejt vet Ramën. Kushtetuta e thotë qartë. Është Këshilli i Lartë i Prokurorisë që deklaron fundin e mandatit të kryeprokurorit dhe fakti që është lënë një boshllëk kushtetues, është bërë me qëllim për të pasur më të lehtë manovrimin e situatës. Duke mbushur vendet vakante në Këshillin e Lartë Gjyqësor me njerëz të zgjedhur prej tyre, do të jetë më i lehtë procesi i përvetësimit të këtij posti mjaft të diskutuar kohët e fundit. Qëllimi i mazhorancës është ashiqare, që nëpërmjet Prokurorit të mbyllin të gjitha skandalet që kanë përfshirë qeverinë Rama, siç është rasti i Tahirit. Qëllimi uzurpues i tyre vërehet edhe tek mungesa e  plotë e transparencës. Ashti siç nënvizon partia Demokratike,  Kuvendi nuk ka bërë publik, si herën e shkuar, korrespondencën me Presidentin e Republikës dhe institucionet e pavarura, si dhe nuk kanë publikuar apo njoftuar listën e kandidatëve që do të përfshihen në short. Ky proces mjaft i rëndësishëm nuk mund të varet nga Gramoz Ruçi, por janë të tjera organe kompetente, të cilat lajmërojnë për procedurën që duhet të ndiqet, kjo në mënyrë transparente dhe të hapur për opinion publik. Përpjekja e pandalshme e Edvinit për të dalë mbi kompetencat e ligjit dhe kushtetutës së vendit është ashiqare. Teksa sheh sesi perandoria e ngritur prej drogës dhe krimit po i shembet, Rama po përdor të gjitha metodat anti-kushtetuese për të larguar kryeprokurorin, duke arritur deri atje sa të blejë edhe zëra ndërkombëtarësh. I frikësuar deri në palcë nga numri i lartë i dosjeve që posedon kryeprokurori Llalla, në të cilat faktohet korrupsioni i mazhorancës si dhe ortakëria e saj me narko-klanet e krimit të organizuar, Rama synon që përmes sulmeve të vazhdueshme të detyroj kryeprokurorin të qëndroj sa më larg aferave dhe skandaleve të tij. Duke përvetësuar postin, Rama merr nën kontroll gjithë sistemin e drejtësisë, ndërsa vijon i patrembur investimin në kanabis dhe trafiqe të tjera të paligjshme.