Shijak, i dënuari për trafik droge i shpëton atentatit

05.01.2017 12:26:59

Një 42-vjeçar nga Shijaku është plagosur në orët e para të mëngjesit të sotëm pak metra para se të shkonte në banesë.

Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:20, në lagjen “Ballias”, Shijak ku 42-vjeçari me iniciale S.GJ., është qëlluar me armë zjarri në rrugë, rreth 30-40 m pa shkuar në banesë. Ai është plagosur lehtë në dorë (pjesën e parakrahut).

42-vjeçari ka qenë duke u kthyer në banesë me mjetin e tij, tip “Range Rover” me targa AA 580 MS.
I dëmtuari pasi ka marrë mjekim në Spitalin Rajonal Durrës është larguar për në banesë.

Me të marrë njoftim menjëherë në vendngjarje kanë shkuar Efektivet e Policisë, të cilët kanë këqyrur vendin e ngjarjes, kanë mbledhur provat materiale me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes janë gjetur disa gëzhoja të kalibrit 9 mm.

Shtetasi S. Gj. ka qenë i dënuar me 7 vjet burgim për veprën penale “Trafikim të lëndëve narkotike” dhe është liruar në vitin 2012.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës vijojnë hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.