Thaçi: Kosova ka Kushtetutën më moderne në Evropën Juglindore

10.12.2017 20:48:47

Në Kosovë sot u shënua Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut.

Me këtë rast, edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka thënë se në këtë ditë kujtohet përpjekja e popullit tonë për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut.

Ai ka shtuar se Kushtetuta e Kosovës, është më modernia në Evropën Juglindore.

Shkrimi i plotë i Thaçit në Facebook:

Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, kujtojmë përpjekjet e popullit tonë për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut.

Pikërisht mbi këto vlera, me shumë mund dhe sakrificë, një dekadë më parë, shpallëm Kosovën të pavarur dhe sovrane.

Sot, Kosova ka Kushtetutën më moderne në Evropën Juglindore, e cila mbështet të drejtat e të gjitha komuniteteve, pavarësisht etnisë, gjinisë apo religjionit.

Kujtojmë se sot Qeveria e Kosovës ka dalë me një deklaratë, ku thotë se respektimi dhe njohja e të drejtave të barabarta për secilin njeri, secilin qytetar të botës, shënon shkallën e lirisë dhe njëkohësisht edhe themelin e demokracisë brenda shoqërive tona.