Shkolla 70 vjeçare në Zaskok të Ferizajt pa kushte për mësim – do të mjaftonte një tërmet i dobët, ajo do të shkatërrohej (Video)

21.12.2018 21:18:31

Muret e shkollës së fshatit Zaskok të Ferizajt, janë plasaritur për shkak të vjetërsisë. Sipas drejtorit të shkollës, objekti rrezikon të shkatërrohet. Ndërsa Ministria e Arsimit premton ndërtimin e objektit të ri, në pranverë, nëse qeveria e  aprovon buxhetin.

Për shkak të vjetërisë, muret e shkollës fillore “Naim Frashëri” në Zaskok të Ferizajt, janë plasaritur.

Nxënësja Elona Blenshiti thotë se objekti nuk i plotëson kushtet për mësim.

“Shkolla është shumë e vjetër. Gjithë këndet e shkollës janë të çara. Nuk kemi as kabinete e as laborator. Sallën e sportit nuk e kemi brenda, ndërsa tualetin e kemi jashtë objektit”, deklaroi Elona Blenishti.

E drejtori i shkollës, Ismet Qerkini ka thënë se po të ndodhë një termet i shkallës më të ulët, ajo do të rrënohet.

“Është shumë e rrezikshme sipas sizmologëve. Mos e sjelltë Zoti një tërmet sado i vogël qoftë, do të ishte fatal për nxënësit dhe punëtorët e kësaj shkolle”, tha drejtori i shkollës, Ismet Qerkini.

Ndërkaq drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani thotë se MASHT u ka dhënë premtim se në pranverë nis ndërtimi i objektit të ri.

“Në vitin e kaluar e kemi marrë sinjalin, se Ministria e Arsimit e Republikës së Kosovës do të investojë dhe do të ndërtojë një objekt të ri shkollor. Të gjitha kërkesat nga Drejtoria e Arsimit në Ferizaj i kemi përcjellë në MASHT”, thotë Afrim Llabjani.

E këshilltari i ministrit të Infrastrukturës, Valmir Gashi tha se MASHT e ka prioritet ndërtimin e shkollës në Zaskok për vitin 2019  dhe se  ndërtimi do të fillojë në rast të aprovimit të buxhetit  nga qeveria dhe parlamenti.