Shqiperi/COVID i ka prekur mushkëritë”/ Infektohet nga virusi dhe shtrohet në spital piktori i njohur shqiptar, vajza e tij i drejton thirrjen urgjente kryeministrit Rama

17.01.2021 16:37:35

Vajza e piktorit të njohur shqiptar, Mustafa Arapi ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale se babai i saj është prekur nga COVID-19.  Ai ditën e djeshme u shtrua tek Covid 2 sepse i janë prekur mushkëritë. Në një shkrim në Facebook, i bën thirrje kryeministrit Rama dhe ministres Manastirliu që institucionet ti japin vëmendje maksimale artistit, i cili është edhe personalitet i kulturës shqiptare.

“Unë e dua babain tim me jetën time, por ai është dhe një Vlerë për shtetin e kulturën shqiptare”, shkroi ndër të tjera Dorina.

Postimi i plotë:

Dje babi im, Mustafa Arapi, u shtrua në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Për shkak të kovidit, i është prekur një pjesë e mushkërive.

Mustafa Arapi, babai im, është baba e bashkëshort i shkëlqyer, mik, njeri i nderuar, piktor i nivelit botëror, restaurator i shkëlqyer me një kontribut prej 40 vjetësh në fushën e restaurimit. Nga puna e tij restauruese, sot brezat e rinj dhe kultura shqiptare trashëgon dhe admiron Onufrin, Qipriotin, Çetirët, Zografët, banesa tradicionale, kisha, afreske, ikona e studimeve e plot të tjera. Pedagog, artist, studiues, pjesëmarrës i lëvizjeve të dhjetorit ’90, Mustafa Arapi meriton vëmendjen maksimale të shtetit, pavarësisht të gjitha shërbimeve që mjekët e infermierët po i ofrojnë. I falënderoj shumë mjekët, infermierët e gjithëkënd në spital që po i dedikohen pacientëve në këto momente të vështira!

Por i drejtohem Kryeministrit z. Edi Rama, Ministres së shëndetësisë znj. Ogerta Manastirliu, që shteti dhe institucionet të japin vëmendjen e duhur për babain tim dhe për këtë personalitet të kulturës shqiptare.

Unë e dua babain tim me jetën time, por ai është dhe një Vlerë për shtetin e kulturën shqiptare.

Ju faleminderit nga zemra gjithëkujt për ndihmën e vëmendjen!

Shpërndajeni këtë mesazh,… kush dëshiron.