Shqipëri: Edi Rama me drejtorët e ALUIZNI-t: Ping-Pongu me dosjet ju nxjer para drejtësisë

18.01.2018 10:44:23

Kryeministri Edi Rama në një takim të zhvilluar sot me drejtorët e rinj të ALUIZNI-t dhe Hipotekës ka kërkuar që “ping-pongu me dosjet e qytetarëve në këto institucione të marrë fund”.

Rama tha se drejtorët nuk do ta kenë provën me qeverinë por drejtëpërdrejtë me popullin.

“Në  momentin që ke pranuar që një dosje nga ALUIZNI të kthehet sërish tek Hipoteka, kjo do të konsiderohet teksti juaj i dorëheqjes”, iu drejtua Rama tituallarëve.

Rama iu tha drejtorëve se ata duhet ta fitojnë çdo ditë betejën për t’u paguar.

Sipas Ramës, titullarët e ALUIZNI-t dhe Hipotekës “duhet të alertohen vetë në kohë reale duke parë dhe ndjekur në çdo orë e minutë portalin për bashkëqeverisjen që të jen në kontakt me ankesat e qytetarit.

“Çdo drejtor Hipoteke do të mbaj përgjegjësi për çdo ankesë të qytetarit dhe dhënien në kohë të përgjigjes së qytetarit, apo gjetjen e përgjegjësit për vonesën e qytetarit. Janë shkaktuar kosto shumë të mëdha psikologjike, morale, ekonomike qytetarit dhe për këtë ka përgjegjës. Ata janë individët që kanë përsipër dosjet. Për këta ka vetëm një zgjidhje, dërgimi para drejtësisë”, deklaroi Rama.

Kryeministri më tej shtoi se qeveria ka nisur reformën e sistemit të titujve të pronësisë dhe do të vazhdojë luftën me korrupsionin në çdo drejtim.

“Besojini se në platformën e Bashkëqeverisjes Shqipëriaqëduam.al keni në dorë instrumentin për shefat, për të hequr qafe çdo kënd në Hipotekë apo kudoqoftë ai nëse nuk ju përgjigjet në kohë reale”, ishte mesazhi i kreut të qeverisë për qytetarët.