Shqipëri/ KQZ, thirrje partive: Dorëzoni emrat për KZAZ, sot afati i fundit

18.03.2019 13:53:58

Data 18 Mars shënon afatin përfundimtar për depozitimin e propozimeve për KZAZ-të. Sipas zëdhënëses së KQZ-së, Drilona Hoxha, deri tani asnjë nga partitë politike që e gëzojnë këtë të drejtë, nuk ka sjellë pranë KQZ-së propozime për komisionerë të nivelit të dytë.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i bën apel partive politike që kanë të drejtën të propozojnë anëtarë të KZAZ-ve që të respektojnë afatin ligjor për depozitimin e kandidaturave në KQZ.

KQZ kërkon që partitë politike të mos neglizhojnë respektimin e afateve ligjore për paraqitjen e propozimeve për administratën zgjedhore, sikundër ka ndodhur në çdo proces zgjedhor. Mos respektimi i  afatit ligjor tregon mungesë përgjegjshmërie në përmbushjen e detyrimeve që ju ngarkon Kodi Zgjedhor.

KQZ -ja është e vendosur të mos mirëkuptojë dhe as tolerojë vonesat në propozime, ndaj  kërkon që partitë politike të depozitojnë urgjent propozimet e tyre për anëtarë të KZAZ-ve, brenda ditës së sotme dhe të mos bëhen shkak për cenimin e administrimit të procesit zgjedhor.

Administrata zgjedhore duhet të trajnohet dhe kualifikohet për kryerjen e detyrave. Vonesat në propozime cenojnë përgatitjen profesionale të komisionerëve, rrezikojnë mbarëvajtjen e procesit, dëmtojnë cilësinë e zgjedhjeve”, tha Hoxha.