Shqipëri: Orest Sota lihet në burg, Prokuroria: Paratë janë të Sajmir Tahirit. Reagon avokati

20.11.2017 22:27:00

Gjykata e Krimeve të Rënda ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për të lënë në “arrest me burg” Orest Sotën, pasi ka hedhur dyshime se personit O.S të cilit iu gjetën 860 mijë euro dhe tre patentat me emrin e Saimir Tahirit dyshohet se ishte duke e ndihmuar ish-ministrin për të fshehur të ardhurat nga aktiviteti kriminal.

Avokati i Sotës, Fatmir Braka, kërkoi një masë më të lehtë sigurie dhe pas seancës së sotme gjyqësore, ai ka pretenduar se të gjitha paratë janë të ligjshme dhe një produkt i një biznesi të pastër të Lefter Sotës.

Sipas tij, këto bazohen në vetë deklarimet e kompanisë “Kurum” dhe biznesit të tij që daton që pas viteve ’90.

“Flitet vetëm për para të ligjshme dhe s’ka asnjë mëdyshje për para të tjera nga burime të tjera, – tha avokati Fatmir Braka. – Shpjegimet për akuzat duhet t’i japë Prokuroria, pasi nga përgjimet e saj, del e qartë që vetë shoferi Tahirit ka pranuar se ka bërë një gabim të madh që i ka harruar patentat atje. Vetë Sota nuk ka pasur dijeni që patentat ishin atje. Nga përgjimet del se shoferi i Sotës ka komunikuar me shoferin e Tahirit dhe ky i fundit i ka thënë se i ka harruar ai aty”. – vijoi avokati.

Nga ana tjetër, pala mbrojtëse e Sotës pohoi se klienti i tyre kishte njohje me ish-ministrin Tahiri, por kjo sipas tij nuk do të thotë se është i përfshirë në aktivitet kriminal.

“Njohje ai ka me ish-ministrin, por kjo s’do të thotë se ka lidhje me paratë dhe patentat. Prokuroria duhet të provojë që paratë janë të Sajmir Tahirit dhe të mos dalë me qëndrime të paverifikuara, – theksoi Braka. – Nuk ka lidhje financieri me bisedat që ka bërë i ati. Prokuroria i ka gjërat e verifikueshme. Sota, kur u ndalua nga policia, telefoni s’i hapej dot se ishte i kodifikuar dhe ai u tregua i gatshëm për këtë duke u vënë në dispozicion të policisë. Prokuroria nuk e sjell si provë këtë gjë. Këtu gjërat verifikohen lehtësisht. Lefter Sota në komunikimin me djalin del se minutë pas minute ai po shkonte te Kurumi, ku dhe ndaloi pas ndjekjes së policisë”.

Sipas avokatit,”Sota akuzohet se iu shmang policisë dhe ka një akuzë të re për pastrim parash, por kjo s’është e vërtetë”.