Shqiperi/“Qytetarë, qëndroni në shtëpi!”/ Makina me altoparlantë në rrugët e Tiranës kanë një mesazh

11.03.2020 20:55:30

Bashkia e Tiranës ka përdorur edhe makinat me altoparlantë për t’u kërkuar shqiptarëve që të mos dalin në rrugë, por të rrinë në banesat e tyre ndërsa ka rrezik të përhapjes së koronavirusit.

“Të dashur qytetare qëndroni në shtëpi, evitoni vendet me shumë njerëz, lani duart sa më shpesh në rast nevoje telefononi numrin 127’, është apeli i bashkisë ndaj qytetarëve të Tiranës.

Ndërkohë që më herët kryebashkiaku i kërkoi Policisë Bashkiake të bëjë patrullime në këto zona, parqe e lulishte në mënyrë që të shmanget sa më shumë qëndrimi afër i qytetarëve.

“Simultanet e shahut pezullohen te Liqeni, Çajupi, 1 Maji; do të duhet të presin pasi të kalojë kjo situatë. I kërkoj Policisë Bashkiake të bëjë patrullime në këto zona, parqe e lulishte. Bashkë me strukturat mbështetëse, i kërkojmë Policisë Bashkiake të vendosë aparatura për të bërë informimin e publikut me zë”, tha Veliaj.