Shqipëri: Petrit Vasil: Reforma e kapur, maxhoranca kërkon të përdorë KLD

05.06.2018 16:17:18

Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili në një deklaratë publike pohoi se Reforma në Drejtësi është deformuar. Nga selia e LSI-së, pak pas mbledhjes së grupit parlamentar, Vasili tha se kjo reformë është kapur nga maxhoranca.

”Reforma në drejtësi është rënduar, ka hyrë në qorrsokak dhe është kapur nga maxhoranca. Situata bëhet edhe më delikate kur edhe presidenti i Asamblesë së OSBE, i cili pati një mision në Shqipëri, thekson: Ne pamë një situatë të ndërlikuar në reformën në drejtësi”, tha Vasili.

Vasili tha gjithashtu se qëllimisht nga mazhoranca është bllokuar puna në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa akuzoi qeverinë se kryeprokuroren Arta Marku kërkon ta bëjë një prokurore të përgjithshme të përjetshme.

”Janë dy synime shumë të qarta, KLD i cili mban peshë të jashtëzakonshme për zhvillimet dhe për mosndëshkueshmërinë, të jetë ai instrumenti më i akuzuari, më i anatemuari ai që do emërojë emërimet e drejtësisë së re. Këto afirmime edhe të vetë mazhorancës tregojnë gjendjen e errët ku është futur kjo mazhorancë, e cila përveçse do të përdore në mënyrë të turpshme KLD, do që Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku ta legjitimojë Prokurore e Përgjithshme e Përjetshme. Kjo bëhet që shteti ligjor mos funksionojë. Për këtë arsye edhe Gjykata Kushtetuese u zhbë, bashkë me Gjykatën e Lartë dhe ka një bllokim të qëllimshëm për të mos u ngritur sa më parë kjo Gjykatë Kushtetuese”,-tha më tej kreu i grupit parlamentar të LSI-së.