Shqipëria dhe Kina, marrëveshje bashkëpunimi për menaxhimin e integruar të ujërave

20.10.2016 10:58:48

Ministri shqiptar i Bujqësisë, Edmond Panariti dhe homologu i tij kinez, Chen Li kanë firmosur në Kinë një marrëveshje të përbashkët bashkëpunimi në fushën e administrimit dhe menaxhimit të integruar të ujërave.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i cili ndodhet prej disa ditësh për një viiztë në Kinë i shoqëruar nga ministri Panariti, vlerësoi nënshkrimin  e kësaj marrëveshjeje si një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin mes dy vendeve në menaxhimin e ujërave sidomos në drejtim të vaditjes, kullimit dh parandalimit të përmbytjeve.

“Përvoja e palës kineze në fushën e bujqësisë dhe administrimit të ujërave është shumë e dobishme për Shqipërinë. Nënshkrimi i marrëveshjes është hap i rëndësishëm në bashkëpunimin e të dy vendeve në fushën e menaxhimit të ujërave, sidomos në drejtim të vaditjes, kullimit dhe parandalimit të përmbytjeve”, është shprehur Meta.

Ministri i Burimeve Ujore të Kinës, Chen Lei theksoi se Shqipëria është një vend me burime të pasura ujore dhe me potencial të lartë zhvillimi dhe mirëpriti ftesën e homologut shqiptar Panariti për të vizituar Shqipërinë duke e siguruar për mbështetjen e plotë të dikasterit që ai drejton.