Shqipëria në aksion për pastrimin e plazheve (Foto)

06.08.2016 13:56:35

Ministria e Mbrojtjes ka nisur pastrimin e vijës bregdetare nga Vlora deri në Ksamil, në zbatim edhe të vendimit të Këshillit të Ministrave.

Ky angazhim i Forcave të Armatosura vjen për shkak të një emergjence mjedisore, që është shqetësuese jo vetëm për pushuesit, por një problem edhe për turizmin në tërësi.

Aksioni për pastrimin e vijës bregdetare është ndjekur nga afër edhe nga ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, e cila përveç falënderimit të trupave, ka dhënë edhe një mesazh për qytetarët.

“Nuk po kërkojnë pokemona! Nuk janë as pushues, janë pjesëtarë të Forcave të Armatosura, të cilët në 40 gradë kanë nisur sensibilizimin nga ‎Vlora në ‎Ksamil për të mos ndotur mjedisin dhe për ta mbajtur atë pastër. Sensibilizohuni dhe ndiqni shembullin! Nuk mund ta bëjë përherë ushtria”, shkruan në Facebook, ministrja e Mbrojtjes.

Forcat e Armatosura do të jenë prezente çdo ditë deri në fund të sezonit turistik për pastrimin e vijës bregdetare.