Shtohen zërat, pas Manjanit edhe Silva Caka: LSI të dalë e vetme në zgjedhjet e këtij viti

13.01.2017 11:17:04

Mbrëmë në emisionin e Sokol Ballës ministri i Drejtësisë Ylli Manjani nuk e përjashtoi opsionin, që LSI-ja të dalë e vetme në zgjedhjet parlamentare të Qershorit të këtij viti. Tani kur duhen edhe 5 muaj nga këto zgjedhjet parlamentare, edhe deputetja e LSI-së, Silva Caka, paralelisht në një studio tjetër deklaroi mbrëmë, se LSI duhet të dalë e vetme në zgjedhjet e 18 Qershorit. Deklarata e deputetes ndërkohë që Ilir Meta po “mendohet” për një ripërtëritje të koalicionit me Edi Ramën, u bë dje gjatë emisionit “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku.

Mes të tjerash, Caka tha se LSI-ja ka një kontratë me qytetarët dhe si e tillë, prova e madhe e saj është që në zgjedhje të dalë e vetme.

Caka sqaroi se edhe pse për çështjen e koalicionit ende nuk ka një qëndrim zyrtar, kjo është dëshira dhe mendim i saj personal.

“Ky është mendimi im personal që për mua do të jetë votë publike në forumet e LSI, por a do të fitojë mendimi im apo jo, këtë do ta kenë në dorë forumet e partisë”, tha ajo. Njëkohësisht me Manjanin që u tregua më fakt më i rezervuar duke ja lënë forumeve vendimin, Silva Caka është e para deputete e kësaj force politike që shprehet hapur për pozicionin që duhet të ketë LSI në zgjedhjet parlamentare, të 18 qershorit të këtij viti.

Pavarësisht se të dy eksponentët e LSI-së që dihet se nuk bëjnë asgjë pa u këshilluar me Ilir Metën, janë përpjekur të theksojnë se këto janë “mendime personale”, duket se LSI-ja është ende në fazën që po i ushtron presion Ramës për kushtet e saja, për një koalicion të ri parazgjedhor, fati i të cilit pritet të vendoset gjatë muajit Prill.