Si është e mundur që në vitin 1945 të jetë shkruar në standardin gjuhësor të njësuar më 1972? (Dokumente)

Nga Rexhep Kastrati

Këto janë dy dokumente të vitit 1945: i pari është një dokument që mban datën 5 shkurt 1945, i Shtabit Opertiv të UNÇ-së dhe AP Kosmetit, kurse i dyti është një Procesverbal nga Sesioni i I i Rregullt i Legjislaturës së Parë të Këshillit Populluer Krahinuer të Krahinës së Kosovë-Metohis mbajtë në Prizren më 8, 9, 10 korrik 1945.

Dokumenti i parë bën fjalë për nevojën për luftën kundër “armikut të popullit” dhe mban emrat e Krsto Filipoviç dhe të Fadil Hoxhës.

Dokumenti i dytë është Procesverbal nga Sesioni në të cilin në mënyrë të dhunshmr është miratuar aneksimi i Kosovës Serbisë, i njohur si Kuvendi i Prizrenit në krye me Mehmet Hoxhën, që thuhet se është gjyshi i Ylli Hoxhës tash në sektën okulte të Albinit.

Dokumentin e parë, atë që i referohet Shtabit Operativ të UNÇ-së dhe AP të Kosmetit, e ka publikuar Uran Butka në shkrimin e sotëm “Komunisti Fadil Hoxha zbatonte urdhrat e Enverit” (http://www.arbresh.info/lajmet/komunisti-fadil-hoxha-zbatonte-urdhrat-e-enverit-dokument/).

Pa dashur të merrem me vërtetësinë e përmbajtjes që ka ky dokument, dua të theksoj disa elemente që bien në sy edhe nga një lexim i përkorë dhe nga çdo lexues i zakonshëm: 1. standardi shkrimor i këtij dokumenti është standard i vendosur në vitin 1972, e që është ende në fuqi; 2. Emërtimi i titullarit që supozohet që ka lëshuar këtë dokument, e që është jo i rregullt, pasi që pas Shtabit Operativ të UNÇ-së shkruan AP Kosmetit, e që i bie në gjuhën serbe Autnomna Pokraina Kosmet, e që do të duhej të ishte në gjuhën shqipe KA – Krahina Autonome; 3. Dukja moderne e shkronjave kompjuterike.

Kur bëhet fjalë për standardin shkrimor, është e qartë se standardi i vitit 1972, kur edhe është vendosur në Kongresin e Drejtshkrimit në Tiranë. Kjo do të thotë se në vitin 1945 nuk ka pasur një gjuhë të njësuar dhe të standardizuar dhe kanë qenë në përdorim standardet dialektore të toskërishtes dhe të gegërishtes, kurse në Kosovë, një variant nëndialektor i gegërishtes.

Po qe se krahasohet dokumenti i parë, me të dytën, mund të vërehet një dallim shumë i madh në aspektin e standardit gjuhësor, pasi që dokumenti i publikuar nga Uran Butka është në standardin gjuhësor të vitit 1972, kurse dokumenti tjetër është në formën nëndialektore të Kosovës.

 

Standardi gjuhësor i dokumentit të parë, pra të publikuar nga Uran Butka, jo vetëm që bie ndesh me dokumentin e dytë, por bie ndesh edhe me një dokument tjetër që e ka publikuar vetë z. Butka, e që e ka nënshkruar Ramiz Alia, dhe Rahman Parllaku, dhe i cili është i shkruar në një formë nëndialektore të gegnishtes.

Siç shihet nga ky dokument, standardi gjuhësor është krejt tjetër nga standardi gjuhësor i dokumentit të parë, dhe më afër standardit të dokumentit të dytë.

Një tjetër element që e theksova më lartë është edhe çështja e emrit të titullarit, ku vërehet emërtimit AP Kosmetit, e që është në kundërshtim me logjikën e të shkruarit të gjithë këtij dokumenti në gjuhën shqipe, madje në standardin gjuhësor të njësuar, sepse AP Kosmetit është emërtim serbisht, siç e shpjegova edhe më lartë. Shtrohet pyetja: si është e mundur që shkruesi apo shkruesit e këtij dokumenti të shkruajnë më 1945 në standardin e njësuar të gjuhës shqipe, kurse të përdorin emërtimin serbisht?

Edhe tipi i shkronjave që janë përdorur në doumentin e parë, më shumë apo absolutisht është tip i shkronjave që sot përdoren në shkrimet kopjuterike, si dhe shtypja në letër, duket si të jetë i shtypur në printer laserik bashkëkohor. Mjafton të krahasohet dokumenti i parë me dy të tjerët për të kuptuar dallimet në tipet e shkronjave dhe të shtypjes së tyre.

Me këtë rast, po e ritheksoj se unë nuk u mora me aspektet përmbajtësore, pra edhe të saktësisë së asaj që thuhet në dokumentin e parë, sepse kjo është çështje që u përket studiuesve të asaj periudhe. Është në dorën e tyre që të vlerësojnë, të konfirmojnë apo të moskonfirmojnë saktësinë e dokumentit të parë, por gjithsesi një shpjegim rreth standardit gjuhësor të atij dokumenti duhet ta japë vet z. Butka, por edhe gjuhëtarë, historinë, arkivistë dhe studiues të tjerë që mund të jenë kompetentë për këtë.