Situatë e tensionuar në Bosnje dhe Hercegovinë: Shteti me mendësinë otomane të shërbëtorit!

30.09.2016 20:42:15

Pas referendumit në Republikën Serpska, situata në Bosnje-Hercegovinë mbetet e tensionuar. Nga qarqet boshnjake dëgjohen tani kërkesa për një mbledhje (Sabor) të përbashkët të të gjtihë boshnjakëve, si kundërpërgjigje ndaj krizës më të madhe në këtë vend që nga koha e luftës.

“Sabori mbarëboshnjak është i nevojshëm, por mendoj se duhet të harmonizohet me bashkësinë ndërkombëtare. Së pari duhet të shohim nëse bashkësia ndërkombëtare do ta ndalë politikën e Millorad Dodikut”, pohon Suad Kurtqehajiq, profesor i sistemit politik në BH.

Sipas tij, Sabori duhet të thirret nëse bashkësia ndërkombëtare nuk i del përpara kërkesave të Dodikut.

Ndryshe, Dodiku do të mendonte se të gjithë janë dakord me idetë e tij, që një entitet në Bosnje dhe Hercegovinë të krijojë shtetin e vet dhe që të shkatërrojë shtetin.

“Ndërkohë që boshnjakët mund të përjetojnë fatin e palestinezëve”, thotë Kurtqehajiqi.

Partia më e fuqishme bosnjake, Partia e Aksionit Demokratik (SDA), nuk e përjashton mundësinë e një takimi të të gjithë boshnjakëve. Përfaqësuesit e saj për DW thonë se një takim i tillë mund të thirret varësisht nga situata dhe nevoja.

“Por, duhet kuptuar që BH është një shtet i krijuar sipas standardeve ndërkombëtare”, thonë ata.

Sabori i tillë i parë është mbajtur në shtator të vitit 1993. Asokohe u desh të vendosej nëse do të pranohet plani Owen-Stoltenberg, me të cilin BH ndahej në tri mini-shtete.

“Politika boshnjake nuk ka ndonjë strategji të qartë”, mendon Suad Kurtqehajiq.

Nga Evropa duhet të kërkohet që Dodikun ta largojë nga politika dhe që shteti të funksionojë si duhet, sepse populli serb nuk është i cenuar në asnjë segment. Kurtqehajiq mendon se politikanët duhet të bashkohen me elitën boshnjake, sepse askush nuk mund t’i di të gjitha gjërat

Përveç mungesës së komunikimit dhe lidhjeve mes politikës dhe inteligjencës boshnjake, një problem tjetër është edhe mendësia e shërbëtorit, që në BH ka mbetur që nga koha e osmanëve.

“Ky mentalitet është zhvilluar për një periudhë të gjatë. Ndaj kur një serb thotë diçka, boshnjakët e pranojnë, pavarësisht se cilat do të jenë pasojat”, mendon ai. Por shumëkush mendon se një takim i tillë do të ishte i dëmshëm për boshnjakët, sepse nuk dihet se si do të pranohej nga faktorët e tjerë.