Skandali i RTK-së: Censuron fjalën e djalit të Smajl Hajdarajt në Akademinë për Sali Çekajn!

18.05.2019 13:07:49

Nga Rexhep Kastrati

Skandalet e RTK-së dhe rreth RTK-së nuk po kanë të sosur! Duket se ky medium paraqet karakterin skandaloz të të politikës që po prodhon skandale të përditshme dhe tepër të rënda, e që e kanë në kontroll të plotë këtë institucional medial publik që mbahet edhe nga fondet qeveritare, edhe nga reklamat e ndryshme, edhe nga të bërit biznes me punën e punëtorëve të saj.

Skandali i fundit, një skandal i rëndë dhe i shmangshëm është skandali që ka të bëjë me censurimin e fjalës së Blerim Smajl Hajdarajt, i cili pos që është nënkryetar i degës së LDK-së në Gjermani, por është edhe djali i ish-komandantit dhe ish-kuvendarit të LDK-së, Smajl Hajdaraj, i vrarë mizorisht në 17 janar 2002.

Ky skandal është i qëllimshëm, është dashakeqës dhe që shkel në thelb aspektin profesional, e që edhe një herë e paraqet si mjet për hakmarrje ndaj Smajl Hajadarajt, i cili edhe pas 17 vitesh, duket se prodhon ndjesi të urrejtjes te ata që e kontrollojnë këtë institucion medial.

Në fakt, censurimi i fjalës së Blerim Smajl Hajdarajt e ka rrëzuar për tokë hipokrizinë me trajtimin e të vërtetës për luftën dhe për faktorët dhe aktorët që e kanë bërë, pasi që Smajl Hajdaraj ka qenë dhe ka mbetur deri në fund institucionalist i përkushtuar dhe gjithë angazhimin e tij e ka pasur në ndërtimin e institucioneve të shtetit.

RTK nuk mund të ketë asnjë arsyetim për të mbuluar këtë skandal të tuprshëm, pasi që minutazhi nuk ka munguar, por as mundësia teknike për t’u realizuar, ngaqë nga gjithë minutazhi kanë mundur të rezervohen disa sekonda edhe për fjalën e Blerim Smajl Hajdarajt! Në aspektin teknik, po ashtu është skandaloz, pasi që aty gjatë montimit të kronikës është bërë prerje e pjesës ku ishte Blerim Smajl Hajdaraj duke folur. Pra, është një veprim i vetëdijshëm dhe i qëllimshëm.

Duke pasur parasysh këto, është e qartë se nuk bëhet fjalë për ndonjë gabim të paqëllimshëm, siç tha Kadri Veseli për rastin e Florës, por për një veprim, për një skandal të qëllimshëm që nuk do të duhej ta bënte në asnjë mënyrë RTK.

Me këtë skandal, RTK edhe një herë tregoi se nuk u shërben qytetarëve, por u shërben konjukturave politike, u shërben atyre që u pengon emri i Smajl Hajdarajt!

Edhe me këtë skandal, RTK e ka bërë veten mjet me të cilin goditen personalitete, të vërteta dhe ngjarje që nuk u pëlqejnë konjukturave politike!

E kjo është tepër, tepër e rëndë, skandaloze, e turpshme dhe e rrezikshme!

(Në ballinë: Blerim  Smajl Hajdaraj, duke folur për Sali Çekajn, por që është censuruar nga RTK)