Sqarime të detajuara për të vërtetën e “përjashtimit” të Ukshin Hotit nga LDK, si dhe për punën e shkëlqyer të degës së LDK-së në Rahovec (1)

30.06.2018 20:06:15

(Njëherit përgjigje shkrimit të çoroditur të Sali Bytyçit, “Infopress”, dhjetor 2017)

Fetah Berisha, i burgosur politik, veprimtar i shquar i degës së LDK-së në Rahovec, e më pas edhe kryetar i saj, bartës i jetës politike dhe institucionale në këtë komunë për mëse një çerekshekulli, deputet i Kuvendit të Kosovës i zgjedhur në zgjedhjet e përgjithshme të 24  maj 1992, si dhe në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura në vitin 2004, vazhdon të rrëfejë të vërtetën për veprimtarinë e degës së LDK-së në Rahovec, raportet e saj me Ukshin Hotin dhe të hedhë poshtë gjithë spekulimet, shpifjet dhe të pavërtetat tjera lidhur me këtë degë.
Në këtë rrëfim, të cilin fokusi.org do ta publikojë në tri vazhdime, Fetah Berisha do të sqarojë edhe një herë çështjen e shpifur dhe të përfolur me daqshakeqësi për gjoja “përjashtimin” e Ukshin Hotit nga kjo degë, veprimtarinë politiko-institucionale në komunën e Rahovecit gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar, si dhe organizimin institucional të mbrojtjes territoriale në këtë komunë.

Nga Fetah Berisha

Edhe pse kam bërë një shkrim tjetër më herët lidhur me çështjen shpifur për gjoja “përjashtimin” e Ukshin Hotit nga LDK në Rahovec, megjithatë e ndjej të nevojshme për hir të gjithë atyre veprimtarëve të degës së LDK-së në Rahovec, gjithë qytetarëve të kësaj komune dhe të opinionit të gjerë, jo vetëm edhe një herë, por edhe shumë herë jam i gatshëm dhe ndjej përgjegjësi, si sekretar i degës së LDK-së, në atë kohë të sqaroj se:

Në degën e LDK-së në Rahovec, nga askush, në asnjë vend (as në Krushë) në asnjë rrethanë, në asnjë kohë, kurrë nuk është organizuar dhe nuk është mbajtur kuvend për ta përjashtuar Ukshin Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Gjithashtu, asnjëherë nuk ka ardhur një sugjerim i tillë nga Kryesia Qendrore e LDK-së, nga se as në programin, as në statutin e LDK-së nuk shkruan për përjashtime nga partia.

Për hir të së vërtetës, si pjesëmarrës i proceseve, ja një kronologji tejet të shkurtër, por e saktë për zhvillimet e asaj kohe në degën e LDK-së në Rahovec, si dhe lidhur me çështjen e gjoja “përjashtimit” të Ukshin Hotit nga kjo deg:

Më 19 janar 1990 u themelua Këshilli Nismëtar i LDK-së, me 18 mars 1990 është mbajtur Konferenca Themeluese e Degës së LDK-së,  muarën pjesë 150 delegat nga lagjet dhe fshatrat, u zgjodh kryesia prej 9 anëtareve (Procesverbali origjinal).

Më 5 nëntor 1990, pasi ishin themelua aktivet dhe nëndegët, u mbajt kuvendi i parë historik zgjedhor, i degës së LDK-së, ku morën pjesë 113 delegat, nga aktivet dhe nëndegët. Kuvendi zgjodhi me votim të fshehtë, kryesinë e degës së LDK-së prej 9 anëtarëve:

Ukshin Hoti, 73 vota, Sabahudin Cena 18, Qerim Rexhepi 49, Fejzullah Berisha 45, Hasan Spahiu 47, Fetah Berisha  81, Hysni Thaçi 49, Milazim Morina 36 dhe Durmish Gashi 37 vota (Nga procesverbali origjinal).

Siç shihet më i votuari doli Fetah Berisha, i cili doli në foltore dhe thirri Kuvendin që, në vend të tij, ta zgjedhin Ukshin Hotin kryetar të degës së LDK-së.

Kuvendi u ngrit i tëri në këmbë dhe me aklamacion e zgjodhi Ukshin Hotin kryetar të LDK-së, dega në Rahovec.

Kryetari Ukshin Hoti, pas pak kohe, shkoj në Lubjanë. Atje nxori në dritë gazetën: “Demokracia Autentike – DEA”. Punët në degë i koordinonte sekretari me kryesinë e degës.  Ukshini, pas ca kohe, u kthye nga Lubjana.  Në mbledhjen e radhës të kryesisë të LDK-së, dega në Rahovec, Ukshin Hoti, kryetar propozoi të thirret një kuvend i jashtëzakonshëm. Kryesia e aprovoj propozimin e Ukshinit. Edhe në takimin me kryetarët të degëve të LDK-së në Prishtinë, atë ditëtakimin e udhëhoqi prof. Fehmi Agani dhe propozimi i Ukshinit për Kuvendin e jashtëzakonshëm u mbeshtet.

Më 9 qershor 1991, në Krushë të Madhe u mbajt kuvendi i jashtëzakonshëm nën udhëheqjen e Ukshin Hotit kryetar, me këtë rend dite:

  1. Raporti mbi punën e deri tashme të kryesisë të degës së LDK-së
  2. Debat rreth raportit dhe
  3. Votëbesimi për kryesinë e degës së LDK-së

Kuvendin e hapi dhe kryesoi Ukshin Hoti, kryetar i degës së LDK-së dhe kryesia e punës.  Pasi u kryen pikat e rendit të ditës u dha edhe rezultati i votëbesimit. Tre anëtarë të kryesisë: Hasan Spahiu, Sabahudin Cena dhe Fejzullah Berisha nuk fituan vota për të qenë edhe më tutje anëtarë të kryesisë. Më të votuarit sërish dolën: Fetah Berisha dhe i dyti Ukshin Hoti. Fetahu serish u tërhoq dhe ne vend të tij, kuvendi me aklamacion e zgjodhi Ukshin Hotin kryetar të Degës së LDK-së në Rahovec.

Me 7 korrik 1991, një muaj pas kuvendit të jashtëzakonshëm, kryetari Ukshin Hoti dhe kryesia e degës së LDK-së, morën pjesë në varrimin e ushtarit Hilmi Popaj, vrarë në APJ. Ukshini atë ditë në varrezat e Ballacerkës, ka mbajtur një fjalim dinjitoz për gjendjen e rendë të shqiptareve në APJ dhe në Kosovë.

Mirëpo, në fund të korrikut 1991, Ukshin Hoti, Kryesisë qendrore të LDK-së në Prishtinë, ia paraqet me shkrim dorëheqjen e parevokueshme nga Kryetari i Degës dhe nga anëtarësia e LDK-së.

Këtë lajmë aso kohe e dha Radio Zagrebi, në emisionin “15 minuta në gjuhën shqipe”.  Ndërsa, kryesinë e degës së LDK-së për dorëheqje kryetari Ukshin Hoti e patë lajmëruar gojarisht. Duke na uruar suksese në jetësimin e Republikës së Kosovës dhe na falënderojë për bashkëpunim të sinqertë. Ukshin Hoti, pra, ishte kryetar i LDK-së, dega  në Rahovec, rreth 9 muaj, nga nëntori i vitit 1990 e deri në korrik 1991.

Lexues të çmuar, këtë risqarim më të detajuar e bëra,me qëllim që,t’i mësoni të vërtetat e sakta për këtë çështje dhe për zhvillimet e kohës në LDK. Këtë risqarim e mbështes në procesverbale dhe dokumente autentike të degës së LDK-së, në mbamendjen e ish anëtarëve të Kryesisë së LDK-së të asaj kohe.

Njëkohësisht, të vërtetat e dokumentuara i plasoj edhe për urithin e nëntokës, Sali Bytyçin, i cili ngul këmbë me fuqinë e gomarit të mbetur në lloç dhe më trimërinë e Bellovit të Sferkës se: ”Kuvendi i përjashtimit ka ndodhur” Ukshinin e ka izoluar LDK-ja, sepse Ukshini paska shkuar në Lubjanë, kur në shpërndanim programin e LDK-së, shtëpi për shtëpi… e broçkulla tjera.

Opinionet e tij, duke mospasur asnjë të vetmin argument, shoku Sali, i gatuan me gënjeshtra, trillime, sajime e shpifje tendencioze kundër veprimtarëve të çështjes nacionale, kundër epokës së LDK-së dhe veprimtarëve të saj. Ai, reagimin e fundit, Kuvendin e imagjinuar për përjashtimin e Ukshinit, nuk e mbështet as në kujtesën e tij, ngase në kokën e tij amorfe fare nuk ka mbamendje.

Shoku Sali manipulon me autoritetin e Ukshin Hotit, i cili do të mund të pyeste me çudi: kush është ky mistrec?!

Ai, po ashtu, shpif për Milazim Morinën dhe Nasip Gashin,anëtarë të kryesisë së asaj kohe, gjëja e pat thirr nëndegën e Ratkocit për të shkuar në Krushë të Madhe, për ta përjashtuar Ukshinin, ndërsa i dyti në Kuvendin e imagjinuar gjëja“propozoi” përjashtimin e Ukshinit. Këta të dy ashpër reaguan duke i hedhur në shportë gënjeshtrat e shokut Sali. Bile Milazimi si udhëheqes i KKF i jepte pagë familjes së Ukshinit dhe të  burgosurve të tjerë, me pëlqimin e Kryesisë së degës së LDK-së.

Shoku Sali,kulmin e urrejtjes e të marrëzisë e arrinte kur shpif se LDK e ka izoluar Ukshin Hotin! Mirëpo, gjithë Kosova e dinte  se Ukshin Hotin e ka izoluar,e ka burgosur, e ka dënuar dhe e ka zhdukur pushteti okupues serb, e jo LDK-ja. Lideri i LDK-së,dr Ibrahim Rugova, në konferencat javore për shtyp, me gazetarët vendorë dhe të huaj, vazhdimisht ka kërkuar, si askush tjetër, lirimin e Ukshinit nga burgu, e kurrë nuk ka kërkuar izolimin e tij.

Shoku Sali ka një të bëmë: ai duke ikur rrugicave me lakadredha, për tu fshehur kaçubave të Gradishës, ishte vetëdyshuar tek policia serbe, kinse ka bërë diç, (si ai që ishte lagur në lagështirën e mëngjesit) e policia serbe e kapi të gjorin dhe e msheli, pa bërë kurrë asgjë!!

(vijon)