Sulmet e mumdshme të ISIS në BAllkan alarmojnë medat ndërkombëtare

06.11.2016 20:52:24

Mediet ndërkombëtare i kanë kushtuar hapësirë të veçantë njoftimit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, të cilët sot bënë me dije se shtatë shtetas të Kosovës të arrestuar të premten në mbrëmje, nën dyshimin për lidhjet e tyre me organizatat terroriste ISIS dhe Al Nusra, kishin planifikuar sulme terroriste në Ballkan.

Nga mediet e shteteve të mëdha si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kina dhe Britania e Madhe, deri tek ato nga Greqia, Rumania e Serbia kanë raportuar për lajmin për arrestimin e shtatë shtetasve të Kosovës, nën akuzën se janë përfshirë në aktivitete terroriste në Siri.

Për më shumë, një deklaratë e institucionit të Prokurorisë Speciale të Kosovës ku thuhej se “shtetet e Ballkanit Perëndimor: Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria, ishin cak i personave të dyshuar se kishin lidhje me ISIS-in”.

Tabloidi i njohur britanik Daily Mail, përmes një artikulli të botuar sot pasdite, i jepte theks të veçantë sulmeve eventuale të organizatës terroristë ISIS në Ballkan.

“Kosova thotë se shtatë persona të dyshuar të lidhur me ISIS-in, planifikuan sulme në Ballkan dhe ishin duke marrë instruksione nga militantët në Siri”, shkruante sot Daily Mail, derisa citonte fjalët e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

mail

Ndërkaq, disa medie të tjera si China Post nga Kina dhe Radio France International nga Franca, kanë raportuar mbi arrestimin e 11 personave të dyshuar për terrorizëm në Kosovë dhe Shqipëri. Shtatë në Kosovë dhe katër në Shqipëri.

“Arrestohen 11 të dyshuar për terrorizëm në Shqipëri dhe Kosovë”, shkruan rrjeti mediatik francez, RFI.

rfi

Edhe mediumi amerikan AbcNews i ka dhënë theks të veçantë rrezikut dhe kërcënimit nga sulmet e mundshme të orkestruara nga ISIS-i në Kosovë.

“Kosovë: 7 të arrestuar nën dyshim për pjesëmarrje në aktivitetet e ISIS-it”, shkruan AbcNews.

Katër persona kanë përfunduar në pranga në Shqipëri, nën dyshimet për rekrutim personash për llogari të ISIS-it dhe vepra terroriste.

Policia Shqiptare tha se arrestimet janë kryer në kuadër të një operacioni të përbashkët rajonal i cili është shtrirë dhe në Maqedoni.

Policia shqiptare njoftoi arrestimin e 4 personave, Xh. F, 34 vjeç, lindur e banues në Vranjt, Dibër, B. P, 30 vjeç, lindur në Tiranë, banues në Shkodër, E.F, 30 vjeç, lindur e banues në Shkodër dhe M. H, 46 vjeç, lindur në Peshkopi, Dibër, me banim në Tiranë. Gjatë operacionit të zhvilluar në qytetet Tiranë, Dibër, Shkodër dhe Elbasan, janë shoqëruar dhe 16 shtetas të tjerë, nga këta 5 të huaj dhe 11 shqiptarë.