Sulmi në Suedi, Uzbekistani: I kishim paralajmëruar

14.04.2017 20:18:28

Ndërsa Suedia merr veten nga sulmi terrorist i 7 prillit, autoritetet uzbeke thanë se e kishin paralajmëruar Perëndimin se i dyshuari për aktin terrorist në Skokholm ishte rekrutuar nga Shteti Islamik, pasi u largua nga Uzbekistani në vitin 2014.

Ministri i Jashtëm uzbek, Abdulaziz Kamilov tha se, informacionet për të dyshuarin Rakhmat Akilov i ishin kaluar një prej partnerëve perëndimorë, në mënyrë që të informohej edhe pala suedeze. Ministri uzbek Kamilov tha se i dyshuari kishte nxitur bashkëqytetarët e tij që të shkonin në Siri dhe të luftonin për Shtetin Islamik.

Më herët, një agjent i sigurisë uzbeke, i cili preferoi të mbetej anonim, i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” se, Akilov kishte tentuar vet të shkonte në Siri në vitin 2015. Por, ai u ndalua nga forcat turke në kufi dhe u kthye në Siri.

Është shumë e rrallë për autoritetet uzbeke që të tregojnë detaje të tilla të shërbimeve sekrete, por kjo shton edhe më shumë presionin mbi shërbimet suedeze të sigurisë, për të sqaruar pse nuk i kushtuan më shumë rëndësi emrit dhe gjetjes së Akilovit, transmeton tch.

Të pyetur nga mediet, përfaqësues të shërbimeve sekrete suedeze thanë se, as mund të konfirmojnë dhe as të mohojnë marrjen e këtij informacioni nga Uzbekistani. 39-vjeçari Rakhmat Akilov u arrestua pak orë pas sulmit dhe pranoi përgjegjësinë për të, por duket se me pak përpjekje më shumë, Suedia mund ta kishte parandalur agresionin.