Sulmohet Koordinatori i Panelit për Lirim me Kusht, Bedri Duraku

02.12.2016 11:30:06

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) ka reaguar lidhur me sulmin ndaj Koordinatorit të Panelit për Lirim me Kusht, Bedri Duraku, i cili është sulmuar fizikisht dje në orët e pasdites.

“KGjK-ja dënon ashpër sulmin fizik ndaj Duraku duke konsideruar të njëjtin si sulm ndaj sistemit gjyqësor dhe profesionit të Koordinatorit si pjesë e sistemit të drejtësisë të përcaktuar me ligjet e aplikueshme të Republikës së Kosovës. Ne ngrehim shqetësim dhe revoltë për këtë sulmin fizik shkaktuar nga disa persona e që rastet e tilla të sulmeve fizike ndaj personave zyrtar, të mos shndërrohen në dukuri”, thuhet në reagimin e KGjK-së.

Më tej KGjK ka theksuar se është për keqardhje se si sulmohen institucionet e drejtësisë së Kosovës e në veçanti zyrtarët të cilët e kryen punën e vet me nder e përgjegjësi për çka edhe janë të emëruar.

“KGjK –ja, kërkon nga të gjitha institucionet relevante të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës, që të marrin të gjitha masat për të zbardhur rastin dhe kryesit e këtij akti qyqarë ta vihen para organeve të drejtësisë. Gjithashtu, kërkojmë që të ndërmarrin masat ligjore preventive në mbrojtjen dhe në krijimin e sigurisë për zbatuesit e ligjit në Kosovë duke inkurajuar të gjithë zyrtarët e drejtësisë që të vazhdojnë me përkushtim që të kryejnë punën e tyre të garantuar me ligj”, thuhet në reagim.