Tahiri: Marrëveshja për targat është arritur ashtu siç kam thënë unë

18.09.2016 10:57:55

Megjithëse ka pasur deklarata kundërthënëse nga palët në dialog rreth arritjes së marrëveshjeve në Bruksel, ministrja për Dialog Edita Tahiri, thotë se deklaratat e saj rreth arritjes së marrëveshjes për targat e veturave që hyjnë në Serbi dhe anasjelltas janë të sakta.

Në një intervistë për KosovaPress, Tahiri ka pohuar se tashmë do të ketë reciprocitet mes dy shteteve sa i përket përdorimit të targave të veturave dhe se targat provuese tashmë janë hequr. Sipas Tahirit, kjo marrëveshje do të hyjë në fuqi nga 15 nëntori i këtij viti.

E sa i përket qëndrimit të palës serbe dhe BE-së për marrëveshjen e arritur, të cilat nuk përputheshin me deklaratat e ministres Tahiri, ajo thotë se u nxitua t’u japë lajme të mira qytetarëve të Kosovës, të cilët sipas saj, janë të frustruar dhe nervozuar me këto targa.

Një gjë të tillë Tahiri thotë se nuk e bëri pala serbe dhe as Brukseli, i cili sipas saj bëri njëfarë balanci rreth këtyre deklarimeve.

“Heqja e targave prova fillon me 15 nëntor të këtij viti. Që nga 15 nëntori qytetarët tanë nuk do të ballafaqohen me targa provuese, por do të fillojë reciprociteti me letra ngjitëse për të dyja palët, për të dy shtetet. E para çështje që është zgjidhur, është çështja e heqjes së targave provuese, që janë aplikuar njëanshëm nga Serbia ndaj veturave të Kosovës me targa RKS. Dhe tani është arritur reciprociteti mes dy shteteve dhe se ajo çfarë vlen për veturat e një shteti, do të vlejë dhe për targat e veturave të shtetit tjetër. Kjo është arritur javën e kaluar dhe unë e kam bërë publike marrëveshjen. Sepse e kam pasur parasysh që qytetarët e Kosovës kanë qenë të nervozuar dhe frustruar me këto targat provuese dhe kam dashur që ta jap lajmin menjëherë. Ndërkohë që pala serbe nuk ka qenë e gatshme ta jap menjëherë lajmin. Dhe pastaj BE bëri një lloj balanci. Mirëpo unë dhe javën e kaluar iu tregova që marrëveshja është arritur dhe do të vërtetoheni se është arritur”, thotë Tahiri.

Pjesa e dytë e marrëveshjes, sipas Tahirit, ka të bëjë me heqjen e targave ilegale që qarkullojnë ende në veri të Kosovës, të cilat duhet të hiqen nga qarkullimi për 12 muaj, marrëveshje kjo e cila do të fillojë të zbatohet nga janari i vitit që vjen.

“Kjo fillon në janar të vitit të ardhshëm dhe për 12 muaj duhet të hiqen krejt këto targa që kanë emra KM, GL, etj. Një kohë të gjatë ne kemi marrë masa për heqjen e tyre. Por ende ka pasur në qarkullim. Kështu që me këtë vendim përbrenda 12 muajve më në Kosovë nuk guxon me pas targa ilegale”, thotë ajo.

Si pjesë e tretë e marrëveshjes, sipas saj, është dakordimi që nga nëntori të fillohet me dhënien e dokumenteve të shtetësisë së Kosovës, në katër komuna veriore, dhe për këtë Tahiri thotë se po përgatitet zyra dhe stafi.

“Ne po përgatisim zyrat, e kemi rekrutuar stafin. Për këtë marrëveshje nuk do të ketë pengesa as nga kryetaret e komunave dhe se as Serbia nuk do të ndikojë negativisht, pasi që është pajtuar që të mos pengojë. Prej nëntorit ne do të fillojmë t’i japim dokumentet e shtetësisë së Kosovës atje, prej certifikatave të lindjes, pasaportave dhe të gjitha llojet e dokumenteve të shtetësisë së Kosovës”, thotë Tahiri.

Sa i përket pikës tjetër të kësaj marrëveshjeje, Tahiri thotë se palët kanë pranuar që të vazhdohet validiteti i targave KS edhe për pesë vjet, në mënyrë që t’u jepet një klimë pozitive gjithë këtyre të arriturave në kuadër të kësaj marrëveshje.

“Edhe për 5 vjet do të jenë në qarkullim targat KS, dhe kjo është bërë me qëllim që të krijohet një mundësi e integrimit të pronarëve të këtyre automjeteve, të cilët një kohë të gjatë kanë refuzuar t’i heqin targat ilegale. Dhe si stimulim për ata që t’i heqin, kemi zgjatur dhe për 5 vjet përdorimin e targave KS”, thotë ajo.

Kurse, rreth themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Tahiri deklaroi se për këtë kanë kushtëzuar palën serbe, që pa u plotësuar disa kushte, si heqja e barrikadës nga ura e Ibrit, marrja e kodit telefonik dhe pavarësimi i KOSTT-it, të mos fillojnë me veprime për Asociacionin.

“Grupi menaxhues është krijuar më 2013 nga ministria e Pushtetit Lokal. Arsyeja pse ende nuk kanë filluar punët rreth hartimit të statutit të Asociacionit është sepse ne e kemi kushtëzuar këtë çështje me marrjen e kodit telefonik, pavarësimin e KOSTT-it dhe heqjen e barrikadës nga ura e Ibrit. Barrikada ka nisur të hiqet më 14 gusht. Por dy kushtet tjera ende nuk janë plotësuar. Prandaj nuk kanë filluar punët rreth hartimit të statutit të Asociacionit”, ka thënë Tahiri.