Tahiri takohet me komisionin qeveritar për të pagjeturit

13.10.2016 16:28:07

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri u takua sot me përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar dhe familjarët e personave të pagjetur me të cilët bisedoi për çështjen e të pagjeturve dhe angazhimet e Qeverisë së Kosovës për zbardhjen e fatit të tyre.

Në takim morën pjesë Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, si dhe anëtarët dhe përfaqësuesit e familjarëve të personave të pagjetur, Bajram Qerkini, Sevdije Frangu dhe Sali Muhaxheri.

Në këtë takim, ministrja Tahiri tha se Qeveria e Kosovës vazhdimisht kërkon nga faktori ndërkombëtar që t’i bëjë presion Serbisë që të tregoj vendndodhjen e personave të pagjetur, sepse është Serbia ajo që ka bërë gjenocid në Kosovë dhe ka bërë zhdukjen e personave, andaj Serbia e dinë ku janë vendet dhe lokacionet e të pagjeturve.

“Qeveria e mbështet punën e Komisionit Qeveritar dhe familjarët e personave të pagjetur, në mënyrë që kjo plagë e rëndë e luftës për gjithë kombin tonë, e veçmas për familjarët të zbutet duke zbardhur plotësisht fatin e të pagjeturve”, tha Tahiri, thuhet në komunikatë.

Me këtë rast, ajo rikujtoi se në dialogun e Brukselit është diskutuar çështja e të pagjeturve në një raund të bisedimeve në vitin 2011 dhe se në delegacionin e Republikës së Kosovës në këto bisedime të udhëhequra nga ministrja ka marrë pjesë edhe profesori i ndjerë, Pajazit Nushi, si kryetar i Komisionit për këtë çështje. Në këto bisedime, delegacioni i Kosovës kishte paraqitur faktet dhe kërkesat për zbardhjen e fatit të rreth 1800 personave të pagjetur si dhe ia ka dorëzuar BE-së listën e personave të pagjetur. Ajo shpjegoi më tej se arsyeja pse dialogu në këtë temë nuk vazhdoi ishte sepse Serbia nuk u tregua e gatshme që të paraqes listën për vendndodhjen e këtyre personave të zhdukur. Ministrja Tahiri, theksoi se Qeveria e Kosovës vazhdon të kërkoj vazhdimin e bisedimeve në Bruksel për temën e të pagjeturve, ndërkohë që siguroi se kjo çështje është tema kryesore të cilën e kërkojmë për fazën e ardhshme të dialogut. Ajo po ashtu bëri shpjegimet për keqkuptimet që ndodhën në debatin e Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, duke thënë se BE-ja kërkoi nga shtetet listat e vendndodhjes së të zhdukurve, sepse listat e emrave të 1860 personave të zhdukur ne ia kishim paraqitur BE-së.

Nga ana e tij, kryetari Prenk Gjetaj foli për rezultatet dhe sfidat e punës për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, si dhe kërkoi më shumë përkrahje nga institucionet e Kosovës për zgjidhjen e këtij problemi për t’ia lehtësuar dhembjet familjarëve dhe gjithë Kosovës. Ai falënderoi ministren Tahiri për mbështetjen dhe bashkëpunimin katërvjeçar gjatë periudhës kur ajo si zëvendëskryeministre e kishte në përgjegjësi edhe çështjen e të pagjeturve.

Bajram Qerkini, anëtarë i Komisionit dhe përfaqësues i familjarëve të të pagjeturve, theksoi se duhet më shumë angazhime nga Qeveria për të zgjidhur këtë problem, dhe se dialogu i Brukselit dhe Bashkimi Evropian duhet të bëjnë më shumë në këtë drejtim. Të këtij mendimi ishin edhe Sevdie Frangu dhe Sali Muhaxheri, të cilët sikur edhe  Qerkini e shumë familje tjera kanë ende të pazbardhur fatin e familjarëve të zhdukur.

Në këtë takim u arrit dakordimi që të vazhdoj puna e përbashkët për zgjidhjen e këtij problemi.