Takimi i radhës Kosovë – Serbi më 1 shkurt

29.01.2017 22:41:59

Shefja e politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa dhe atë të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për një takim të ri në Bruksel në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve.

Takimi i radhës që do të mbahet të mërkurën më 1 shkurt, do të jetë “vazhdimi i atij të mbajtur më 24 janar ku të dyja palët u pajtuan që të lënë tensionet prapa dhe të përqendrohen në punën në kuadër të bisedimeve”, thuhet në një njoftim të zyrës së zonjës Mogherini.

“Përfaqësuesja e Lartë pret me padurim vazhdimin e diskutimeve, për çështje me rëndësi dhe diskutimet për zbatimin e marrëveshjeve të arritura më herët si dhe që ta çojnë përpara dialogun”, thuhet në njoftim.

Më 24 janar në takim ishin edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Tomislav Nikoliç. Takimi ishte një përpjekje e Bashkimit Evropian për të ulur tensionet ndërmjet të dyja vendeve.

Më 14 janar Kosova ndaloi hyrjen në territorin e saj të një treni të nisur nga Beogradi drejt Mitrovicës, me mbishkrimin “Kosova është Serbi” dhe me ikonografi kishtare mesjetare.