Taksa a e forcoi, apo e dobësoi pozitën ndërkombëtare të Kosovës

01.03.2020 18:15:50

Nga Rexhep Kastrati

Arsyeja kryesore pse nuk kam pasur vlerësim për taksën 10% dhe 100% nuk ka pasur të bëjë me karakterin ekonomik, por me karakterin izolacionist të saj! Kjo taksë e ka paraqitur Kosovën si një vend që është kundër parimeve fundamentale të lirisë së qarkullimit të njerëzve dhe mallrave. Kjo taksë e ka izoluar Kosovën me botën, dhe ia ka hapur Serbisë dyert hapakrah! Kjo taksë vuri në siklet marrëdhëniet me aleatët dhe legjitimoi pretendimet e Serbisë në raport me Kosovën! Pas goditjes së rëndë që Kosova mori nga zhvilimet e viteve 2015-2017, vendosja e taksës i dha goditje tjetër, duke përplotësuar perceptimin ndërkombëtar se Kosova si shtet është burim destabiliteti, izolimi dhe si vatër krizash dhe problemesh rajonale dhe më gjerë! Gjithë pesha e trysnisë ra mbi Kosovën, ndërkohë që Serbisë iu hapën disa kapituj në procesin e integrimit të saj me BE-në, e që kishte përmasat e hapjes së botës dhe aleatëve tanë ndaj saj.
Pasojat e taksës për Kosovën janë më të rënda dhe me afatgjatë sesa që po mendohet dhe po shprehet, dhe do të ketë ndikim edhe në cilësinë e procesit negociator ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pasojat mund të krahasohen me pasojat që kanë pasur ngjarjet e 17 dhe 18 marsit 2004 në perceptimin e shqiptarëve nga bashkësia ndërkombëtare, në perceptimin e strukturave të Serbisë në Kosovë, e që patën ndikim vendimtar edhe në cilësinë e Pakos së Ahtisarit! Duhet të kujtojmë se në Raportin e Kai Aides, të dërguarit special te Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Anan, me të cilin, më 2005, duhej të vlerësoheshin kushtet për fillimin e negociatave për statusin e Kosovës, strukturat e Serbisë në Kosovë u konsideruan si të vetmet që kanë besimin e serbëve lokalë për sigurinë e tyre.
Në Pakon e Ahtisarit, sidomos në pjesën e Konkluzioneve, qartësisht janë theksuar ngjarjet e 17 dhe 18 marsit 2004, dhe karakteri asimetrik i komunave me shumicë serbe si dhe eksterritorialiteti dhe autonomia e madhe e kishave të quajtura serbe, janë pasojë e drejtpërdrejtë e ngjarjeve të 17 dhe 18 marsit 2004.
Në këtë kuptim, edhe pasojat e taksës do të vërehen gjatë ditëve dhe javëve në vazhdim dhe do të bëjnë të mundur në fuqizimin e pozitës së serbëve në Kosovë, në raporte të zhvillimeve rajonale etj. Siç dihet, me t’u vendosur taksa, u krijua nga Serbia perceptimi se  serbët lokalë në Kosovë ishin viktimë pasi që u pamundësohej të furnizoheshin me mallra nga Serbia. Pra, Serbia krijoi perceptimi se serbët ishin izoluar nga Serbia! Në anën tjetër, falë taksës u lehtësuan edhe pazaret për të ashtuquajturin Mini-Shengen, në kuptimin e liberalizimit të kufijve dhe të qarkullimit të njerëzve dhe të mallrave! Të pretendosh se me taksën do të detyrohej Serbia ta njihte Kosovën, është joserioze, qoftë për faktin se kjo çështje ka konotacione thelbësore për Serbinë, si dhe ka konotacione thelbësore për kontekste gjeopolitike rajonale dhe botërore. Njohja e njohjes së Kosovës nga Serbia nuk është thjesht një deklaratë politike, as një akt i thjeshtë politiko-juridik, por është sinterizim i një shumësi faktorësh, aktorësh e procesesh me përmasa dhe karakter socio-historik, socio-psikologjik, diplomatik e gjeopolitik. Ka një Kishë serbe që është kundër, ka shtete të ndeyshme që nxisin dhe inkurajojnë Serbinë që të mos njohë Kosovën. Pastaj, është Rezoluta 1244 dhe fakti se me ndihmën e renegatëve shqiptarë që desh e kallën Kosovën dhe që bënë të mundur dështimin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, që janë në anën e Serbisë. Me mosanëtarësimin e Kosovës në UNESCO, u shmang mundësia e anëtarësimit të saj në OKB nëpërmjet Asamblesë Parlamentare të UNESCO-s, përkatësisht nëpërmjet Asamblesë Parlamentare të OKB-së, duke shmangur veton ruse dhe kineze në KS të OKB-së, dhe duke mundësuar shfuqizimin e Rezolutës 1244. Së këndejmi ka mbetur vetëm një rrugë për zgjidhjen e raporteve Kosovë – Serbi: negociatat qoftë në formatin e gjertanishëm në Bruksel, qoftë me shatëll diplomaci, qoftë me kombinimin e të dyjave, qoftë edhe me ndonjë Dejton 2. Dhe në këtë rast, Serbia do të dilte fitimtare, sepse kompromisi që do të dilte do të dilte i dhimbshëm për Kosovën. Kjo do të shprehej figurativisht kështu: nëse gjendja normale do të ishte 1, kurse Serbia kërkon 10, kompromisi 5 që do të ishte i nënkuptueshëm, do të thoshte se Serbia ka fituar katërfishin e normales, kurse Kosova ka humbur katërfishin e normales! Aspektet socio-ekonomike, ndërkaq, për Serbinë janë të papërfillshme, marrë parasysh se transaksionet tregtare Serbi-Kosovë janë të papërfillshme! Mbetet të shihet ndikimi i taksës në çështjen e rikthimit të depozitave bankare të shtetasve të Kosovës në bankat e Kosovës dhe të Serbisë në Kosovë para viteve të luftës në Kosovë, në çështjen e pensioneve të shtetasve të Kosovës si dhe në çështjen  e kompensimeve ekononike si pasojë e shfrytëzimit të kompanive ekonpmike të Kosovës etj. Për këto dhe çështje të tjera nuk kam pasur kurrë vlerësim për taksën dhe kam qenë i vetmi që kam mbajtur qëndrim negativ ndaj saj! Tashmë kur amerikanët janë shprehur qartësisht për heqjen e taksës, po dalin rrahagjoksë që po pretendojnë se kanë qenë nga fillimi kundër taksës, sikur kjo të ishte një garë se kush i pari bani, ndërkohë që kjo nuk është çështje e tribalizmit dhe feudalizmit politik! Në fakt, edhe me taksën po ndodh njësoj: pritje dhe rrahagjoks mbasi po ndodhin gjërat dhe pasi Kosova po vuan pasoja! Noli do të thoshte: si kofini pas të vjeli!