Të na qeverisë Franca…’/ Libanezët në rrugë kundër qeverisë, përleshen me policinë

08.08.2020 17:28:48

Mijëra libanezë, të zemëruar me udhëheqësit e tyre politikë, po protestojnë sërish nëpër rrugët e kryeqytetit të shkatërruar Bejrutit, katër ditë pas një shpërthimi të fuqishëm që la të paktën 154 viktima.

Disa prej protestuesve janë përleshur me policinë, e cila nga ana tjetër është kundërpërgjigjur me gazlotsjellës.

Dy ministra që u përpoqën të vizitonin lagjet e dëmtuara u shtynë jashtë nga protestuesit. Një marshim është parashikuar të lidhë një prej zonave më të shkatërruara pranë portit me Sheshin e Martirëve, zemrën e kryengritjes anti-qeveritare.

Përveç shfaqjes së zemërimit popullor, marshimet e qytetarëve synojnë të kujtojnë viktimat e shpërthimit, prej të cilit mbi 5 mijë vetë u plagosën dhe rreth 300 mijë mbetën të pastrehë.

Presidenti libanez Michel Aoun refuzoi thirrjet për një hetim ndërkombëtar në lidhje me shpërthimin. Ai tha se autoritetet vendore do të përcaktojnë nëse shpërthimi u shkaktua nga një “forcë e jashtme” si për shembull një bombë.

Ndërkaq udhëheqësit botërorë do të marrin pjesë një konferencë virtuale donatorësh të organizuar nga presidenti francez Emmanuel Macron.

Libanezët kanë firmosur një peticion ku kërkojnë që vendi të qeveriset nga Franca 10 vitet e ardhshme.