Tërheqja e amerikanëve nga “Kosova e re” është i brasvlershëm me tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova

17.03.2020 20:43:18

Matthew Palmer: Për të ruajtur pavarësinë e saj energjetike, Kosovës i duhet gjeneratë e re, dhe Kosova e Re është opsioni më praktik, më efikas dhe më i mundshëm. Mbështetja e këtij projekti është tërësisht interes kombëtar në SHBA.

Nga Rexhep Kastrati

Kosova nuk mund të plotësojë nevojat e saj me energji elektrike me kapacitetet aktuale prodhuese dhe me gjendjen teknike të termorlektranave dhe që nuk plotësojnë as kushtet për mbrojtjen e ambientit! “Kosova e re” nuk ishte thjesht një projekt biznesi, por një projekt i barasvlershëm me praninë ushtarake amerikane, kuptohet në sektorin energjitik! Para pak ditësh, SHBA-të kishin ndarë shuma të mëdha parash për shtetet evropiane për të penguar ndikimin rus në Evropë nëpërmjet resurseve energjitike! E “Kosova e re” do të duhej të ishte mbrojtje e Kosovës nga ndikimet ruse nëpërmjet resurseve energjitike! Tërheqja e amerikanëve nga ky projekt, për fushën energjitike është i barasvlershëm me tërheqjen e trupave amerikane për fushën e sigurisë së Kosovës! Është e qartë se tërheqja e amerikanëve nga “Kosova e re”, është mirëpritur nga KEDS, që edhe ashtu ka shumë çështje të paqarta që nga kontrata e shitblerjes së rrjetit të shpërndarjes dhe njësive furnizuese me energji elektrike, nga çështja e borxhit të KEK-ut, e deri te mundësia për të blerë termoelektranat aktuale,ashtu sikurse rrjetin e shpërndarjes, apo edhe më keq: rrënimin gradual të tyre për ta shndërruar Kosovën në treg të energjisë elektrike nga shtete të ndryshme, edhe jomiqësore ndaj Kosovës! Në këtë kontekst është shumë i qartë edhe deklarimi i Palmerit se “Nëse ky projekt dështon, Kosova mund të detyrohet të marrë në konsideratë alternativa që përfshijnë energjinë me burim rus. Shumë kombe të Ballkanit dhe pjesa më e madhe e Evropës Juglindore preken drejtpërdrejt ose indirekt nga politikat dhe furnizimi i energjisë ruse; ato që janë gazifikuar i besojnë, pothuajse, ekskluzivisht Rusisë si furnizuese. Për të ruajtur pavarësinë e saj energjetike, Kosovës i duhet gjeneratë e re, dhe Kosova e Re është opsioni më praktik, më efikas dhe më i mundshëm. Mbështetja e këtij projekti është tërësisht interes kombëtar në SHBA”. Shihet qartë se projekti “Kosova e re” është projekt i interesit kombëtar për SHBA-të, pra është interes strategjik për të penguar ndikimin rus në Kosovë, Ballkan dhe Evropë! Duhet të kujtojmë se ndikimi dhe varësia e Evropës nga gazi natyror rus ka rritur fuqinë e ndikimit gjeopolitik e gjeostrategjik të Rusisë, ka dobësuar krahun evropian të NATO-s dhe ka rritur kundëramerikanizmin te shtetet e ndryshme evropiane, e që ka pasur një ndikim jashtëzakonisht të keq edhe në raportin e BE-së me Kosovën! Detyrimi që u është bërë amerikanëve të tërhiqen nga projekti i “Kosovës së re” nga qeveria e konfrontimit me SHBA-të në krye me Albin Kurtin, është një goditje e rëndë për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve që do të ketë pasoja tepër të rënda për Kosovën! Në fakt, kjo është një fitore e madhe e Rusisë në Kosovë dhe një tatëpjetë e shtetit të Kosovës drejt fundosjes. Dhe kjo fitore është arritur edhe falë nënshtrimit të LDK-së, e cila është duke e fundosur edhe veten, edhe interesat dhe shtetin e Kosovës. Prandaj, është urgjent largimi i saj nga kjo qeveri, dhe adresimi kompanisë amerikane me një shkresë që të rishikojë qëndrimin për tërheqje nga projekti “Kosova e re”!