Thirrje për armëpushim në Aleppo

07.12.2016 23:53:00

Një koalicion vendesh, i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Aleppo të Sirisë dhe dënoi Rusinë se po pengon përpjekjet për të dërguar ndihmë humanitare për civilët e bllokuar në qytet.

Udhëheqësit e Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë dhe Shteteteve të Bashkuara i bënë thirrje qeverisë siriane të pranojë planin e OKB-së për Aleppon dhe të lejojë ndihmat humanitare në qytet.
Kryengritësit sirianë kanë rënë dakord për një armëpushim pesë-ditor për të siguruar largimin e civilëve nga pjesa lindore e qytetit.
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry pritet të zhvillojë sonte bisedime me Ministrin e Jashtëm rus Sergej Lavrov në Hamburg të Gjermanisë.

Dy diplomatët kanë mbajtur disa herë bisedime mbi luftën civile në Siri, me shpresën për të arritur një zgjidhje diplomatike.