“Thyhet” akulli: A u pajtuan Hashim Thaçi e Sali Berisha?

17.08.2020 22:15:00

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish- kryeministri shqiptar, Sali Berisha duket se janë pajtuar.

Në një postim të presidentit Thaçi, shihet edhe një fotografi teksa bisedojnë kreu i PD-së, Lul Basha i shoqëruar nga Sali Berisha, me Thaçin.

Ndryshe, Thaçi e Berisha vitin e kaluar kishin shkëmbyer akuza e kundërakuza nga më të rëndat.

Ky takimi ndodhi me rastin në ceremoninë e vlerësimit të ish-Presidentit të Shqipërisë, Rexhep Meidani, me dekoratën “Flamuri Kombëtar” nga presidenti Ilir Meta.

Postimi i plotë i Thaçit:

Ishte kënaqësi të marr pjesë sonte në ceremoninë e vlerësimit të ish-Presidentit të Shqipërisë, Rexhep Meidani, me dekoratën “Flamuri Kombëtar” nga presidenti Ilir Meta. Në vitet më përcaktuese për lirinë e Kosovës, presidenti Meidani ishte njeriu që me parimin “Një komb, një qëndrim” u vu në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare dhe popullit të Kosovës për liri. Presidenti Meidani afirmoi çështjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe luajti rol në demokratizimin e shoqërisë shqiptare. Ai mbetet në kujtesën tonë kolektive si presidenti i parë i Shqipërisë që vizitoi Kosovën. HTH 🇽🇰 🇦🇱