Ti që çirreshe në mbrojtje të kamikazeve të VV-së, AAK-së e Nismës, pse moj po hesht për sulmet ndaj Teuta Rugovës?

21.07.2017 22:40:14

Nga Rexhep Kastrati

Dita e sotme për familjen e presidentit Rugova, sidomos për Teutën ka qenë shumë e rënë, sepse ndaj tyre është bërë një fushatë e egër, primitive dhe me qëllime të qarta për denigrimin e tyre. Një takim që Ramush Haradinaj pati sot me familjen e presidentit Rugova u shfrytëzua për të përhapur lajme të rreme dhe për të zhvilluar një fushatë primitive kundër saj. Edhe pse ka ditë që mediet kanë spekuluar me emrin e Teuta Rugovës, megjithatë në ditën e sotme u zbrazën bateritë e agjitpropit tipik të një lufte speciale dhe të një presioni psikologjik shumë të egër ndaj një vajze të re, të cilës i ka rënë në supe të bartë pasojat e faktit se është e bia e presidentit Rugova.

Kushdo që merr vesh nga lufta speciale, e ka të qartë se lufta e sotme speciale kundër teuta Rugovës është planifikuar më parë dhe është bashkërenduar ndërmjet strukurave mafiozo-politike dhe strukutrave mafiozo-medietike me qëllime të shumta, që nga ato për ta goditur vetë Teutën dhe familjen e saj, e deri te ngrerja e kurthit që do ta çonte LDK-në në një koalicion pa kushte me VV-në. Qëllimi për të goditur Teuta Rugovën është qëllim i hershëm që lidhet me luftën kundër presidentit Rugova dhe LDK-së, dhe në këtë luftë janë të përfshirë të gjitha veglat kodnomë brenda e rreth LDK-së që sot patën fytyrën e Astrit Haraçisë dhe të Dardan Gashit, por edhe heshtjen idiotike të Vjosa Osmanit.

Dhe të vërtetën për gjithë këtë fushatë, pra edhe për kurthin që LDK të bëjë koalicion pa kushte me VV-në e qartëson pikërisht heshtja e Vjosa Osmanit, e cila ka pasur zë edhe kur makina njerëzore të VV-së futnin bombola gazi në organet gjenitale për të bllokuar institucionet, por që nuk pati zë kur sulmohej Teuta Rugova, e bija e presidentit Rugova për gjëra që nuk i kishte thënë. Dhe kjo heshtje është më e rëndë edhe për faktin se Vjosa Osmani është delegate në Kuvendin e degës së III të LDK-së në Velani, ku është edhe baza e Teuta Rugovës. Por ka heshtur edhe Kryesia e kësaj dege, e cila do të duhej të sqaronte edhe pozicionin e saj ndaj gjithë kësaj fushate. Është e qartë se lufta e sotme speciale kundër Teuta Rugovës mund t’i ketë pëlqyer edhe Vjosa Osmanit, e cila që nga fillimi, madje edhe më parë është dëshmuar si një marionetë e VV-së brenda LDK-së, dhe e cila gjatë tërë këtyre viteve është shquar për afërsi me të tjerët, e jo me LDK-në. Dhe mund t’i ketë pëlqyer se pas kësaj fushate, mund të jetë një trysni më e madhe që LDK të bëj pa kushte koalicion me VV-në.

Dhe ky mund të jetë edhe një kurth i ngritur nga PDK, e cila e ka të qartë se mundësia që si PAN të arrijë të formojë Qeverinë janë shumë të pakta, luan me kartën tjetër: të djegë Ramushin dhe të imponojë një koalicion LAA-VV, kurse vetë të kalojë në opozitë. Në fakt, brenda PDK-së ka zëra që herë pas here janë bërë edhe publikë, sipas të cilëve kjo parti të kalojë në opozitë. Më parë një qëndrim të tillë e pat shpërfaqur edhe Shukri Buja, i afërt me kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli. Sipas këtij opcioni, VV do ta digjte LDK-në, sepse do ta komprometonte nën tutelën e Albin Kurtit, ndërkohë që vetë PDK do të punonte për konsoldimin e saj pas prekjes nga Gjykata speciale dhe në zgjedhjet tjera do të ishte e konsoliduar për rezultat pozitiv. Edhe për çështje të mëdha, siç janë Demarkacioni, Asociacioni, apo edhe Ushtria, do të linte të merrej koalicioni LAA-VV.

Pavarësisht gjithë këtyre dhe të tjerave që nuk po i them për shkak të zhvillimeve dinamike, heshtja e Vjosa Osmanit dhe e gjithë atyre që gjatë viteve nuk lanë gjë pa bërë kundër LDK-së, duhet të evidentohet dhe të kihet parasysh edhe për zhvillimet që do të pasojnë edhe në drejtim të një koalicioni eventual pa kushte ndërmjet LAA-VV-së. Megjithë dëshirën e përflaktë të këtillëve për një koalicion pa kushte me VV-në dhe me pozitë poshtëruese për LDK-në, nuk e arsyeton asgjë këtë heshtje, sepse kjo heshtje është shpërfaqje e hapur e një pafytyrësie politike, e një mungese të plotë të një morali politik dhe të shpërfaqjes së një makabriteti politik të atyre që kurrë një aktivitet të duhur për LDK-në nuk e kanë pasur.