Tirana zhgënjen në Durrës, Nwabueze i bën “magji” Skënderbeut

02.11.2019 20:28:05

Një pakujdesi në vendosje e portierit Ilion Lika në kohën shtesë i hoqi dy pikë Tiranës në “Niko Dovana” të Durrësit (1-1), në një sfidë që dhuroi shumë emocione, sidomos në minutat e fundit, me gjyqtarin që ndëshkoi dy lojtarë bardheblu me kartonë të kuq, ndërsa Teuta tentoi deri në sekondat e fundit përmbysjen e madhe, por pa mundur të marrë më shumë se një pikë.

Dy pikë të humbura nga 24 herë kampionët e Shqipërisë, që, gjithsesi, treguan karakter ndaj një kundërshtari të fortë, por jo qetësinë e duhur për të menaxhuar situatat më të vështira.

Tirana e nisi ndeshjen me frymën e duhur dhe jo rastësisht në minutën e 18-të bardheblutë kaluan në epërsi me Michael Ngo, që shfrytëzoi topin e mbetur në zonë pas gabimit të dyfishtë të Kristi Vangjelit thuasje në zonën e portierit (goditi shtyllën dhe u ndal nga portieri).

Miqtë nga kryeqyteti e menaxhuan më së miri ndeshjen në minutat në vazhdim, duke patur raste të tjera shënimi, deri në momentin kur Hoxhallari u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në minutën e 76-të. Edhe në inferioritet numerik Tirana rezistoi me autoritet, por Ilion Lika, nuk vlerësoi si duhet një parabël, duke i dhënë një asist Rustem Hoxhës në minutën e dytë shtesë në tentativën për të larguar topit mbi tra. Kartoni i dytë i verdhë për Torasën bëri që Tirana të luante edhe disa minuta me 2 lojtarë më pak, por Teuta nuk pati qetësinë e duhur për të shënuar golin e dytë.

Skënderbeu duket se ka nisur të dorëzohet me fillimin e fazës së dytë. Skuadra korçare u mposht 1-4 nga Laçi në Korçë, ku dy nga katër golat e kurbinasve i shënoi Nwabueze.

Në fakt, vendësit kaluan ne epërsi që në minutën e 5-të me një supergol nga distanca të Nazmi Gripshit nga distanca, por 20 minuta më vonë u kundërpërgjigj me të njëjtën cilësi Regi Lushkja, që ktheu baraspeshën në rezultat.

Me fillimin e pjesës së dytë kurbinasit përmbysën rezultatin me Nwabeeze, i cili pasi fitoi duelin me Pollozhanin, gjuajti lehtë brenda zonës për ta kaluar topin në rrjetë pas shpinës së Koliçit.

Redon Xhixha mori një asist nga Nwabeeze në minutën e 63-të, shënoi të tretin për Laçin, ndërsa sulmuesi më i mirë i Superiores (Nwabueze) mbylli llogaritë në minutën e 83-të me golin e 1-4, pasi një topi të gjatë të portierit Stazhilla.