Totozani: Bëni gati vendstrehimet e dimrit për të varfrit dhe lypësit

20.11.2016 13:40:16

Avokati i Popullit, z. Igli Totozani,  u dërgoi kryetarëve të bashkive në të gjithë vendin rekomandimin për  marrjen e masave organizative për përgatitjen e vend-strehimeve apo vend-qëndrimeve provizore për grupe në nevojë emergjente që kërkojnë ndihmë nga organet e pushtetit vendor me qëllim parandalimin e situatave që mund të rrezikojnë jetën apo shëndetin e tyre

Në rekomandim thuhet se:

“Sfida më e madhe që ne përballemi sot nga këndvështrimi im si Avokat i Popullit, është aftësia për të përmbushur objektivat sociale, të sigurta dhe gjithëpërfshirëse, veçantërisht atë objektiv që lidhet me strehimin social, mungesa e të cilës përbën një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe cenon të drejtën për të jetuar me dinjitet.

Axhenda e miratuar në samitin e Kombeve të Bashkuara në muajin Shtator 2015, “Për Zhvillimin e Qëndrueshëm 2015 – 2030”, i kushton rëndësi edhe objektivës  që lidhet me strehimin e përshtatshëm, të sigurtë dhe të përballueshëm për të gjithë.

Aktualisht, megjithëse ka një sërë aktesh ligjore dhe nënligjore që rregullon këtë objektiv social, si dhe shpresojmë në miratimin sa më të shpejtë edhe të ligjit të ri “Për Strehimin Social në Republikën e Shqipërisë”,  realiteti tregon se strehimi mbetet një nga çështjet më të mprehta sociale për vendin tonë, për shkak se zbatimi i ligjit dhe përfitimi nga kjo objektiv, shpesh lidhet me kapacitete financiare që kanë në dispozicion njësitë e qeverisjes vendore për aplikimin e programeve të tilla sociale.

Duke ju referuar numrit të konsiderueshëm të ankesave që paraqiten pranë institucionit të Avokatit të Popullit, konstatojmë me keqardhje se shumë familje sot po përballen me nevoja ekstreme për të siguruar një vendstrehim në kushtet e pamundësisë totale të pagesës dhe përfitimit nga një prej programeve sociale të strehimit që ofrohen aktualisht nga njësitë e pushtetit vendor.

Institucioni i Avokatit të Popullit ngre me shumë shqetësim dhe bën thirrje të mbahet në konsideratë nga ana juaj marrja e masave emergjente në ndihmë të kategorive të  popullsisë, të cilët realisht janë në pamundësi totale të sigurimit të një vendstrehimi.

Kjo, me synimin e vetëm parandalimin e situatave që mund të rrezikojnë jetën apo shëndetin veçanërisht për fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi  të kufizuar etj. duke mos lënë pa përmendur edhe raste nga vitet e mëparshme të cilat fatkeqësisht kanë çuar në humbje të jetëve njerëzore, për shkak të kushteve të vështira klimaterike dhe temperaturave të ulëta kryesisht në  zonat malore të vendit.

Nga ana juaj do  të dëshironim që këtë rekomandim ta interpretonit si një mesazh me interes të përbashkët, në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, veçanërisht, ndaj atyre grupeve më vulnerabël, më të varfra dhe më të pambrojtura të shoqërisë, por njëkohësisht edhe për t’ju përgjigjur standardeve më të mira, për një vend që ka në qendër të vet mirëqënien e qytetarëve dhe aspiron të bëhet pjesë sa më shpejt në Bashkimin Europian”.