Trafikonin klandestinë nga Lindja e Mesme drejt Gjermanisë, goditet rrjeti

08.02.2017 10:27:34

Prokuroria për Krime të Rënda ka zbuluar një grup kriminal që merrej me kalimin e klandestinëve prej Lindjes së Mesme nga territori shqiptar për në Kosovë, e më tej, me destinacion final Austrinë dhe Gjermaninë.

Në kuadër të këtij hetimi, janë ekzekutuar nga ana e Policisë së Shtetit masat e sigurimit “arrest në burg” për 4 persona, si edhe janë ekzekutuar dy urdhra të tjerë ndalimi, të gjithë të lëshuar nga Prokuroria për Krime të Rënda.

Me arrestimin e 6 personave ditën e martë, numri i personave të arrestuar në kuadër të këtij grupi kriminal arrin në 18 të dyshuar, 12 prej të cilëve janë arrestuar në 4 episode të mëparshme.

Ditën e djeshme janë arrestuar shtetasit Ilirjan Miza, Erigenti Bezo, Julian Shaholli dhe Flamur Hajdaraj, ndërsa janë ndaluar Genci Jazxhi dhe Elton Kupe.

Nga hetimi i Prokurorisë për Krime të Rënda rezulton se këta shtetas, si edhe të tjerët e arrestuar më parë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin krijuar një linjë kalimi klandestinësh nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut nëpërmjet Greqisë, në Shqipëri-Kosovë-Serbi-Hungari-Austri-Gjermani.

Fillimisht, në bazë të hetimeve janë zbuluar 4 raste, ku, në mjete transporti, janë gjetur në total rreth 100 persona, kryesisht nga Siria. Këta shtetas të huaj janë gjetur në furgonë transporti në dy raste në Korçë dhe në dy raste të tjerë rrugës për në Kukës. Nga hetimit e kryera, ka dyshime të arsyetuara që shtetasit e arrestuar kanë realizuar transportimin e klandestinëve kundrejt shpërblimit prej 900 euro për person deri në Kosovë ose 1250 euro për person deri në Serbi, pasi 350 euro për person paguhet shoqëruesi i klandestinëve në Kosovë.

Në muajin Shtator 2016, në funksion të këtij procedimi penal, janë arrestuar në 4 episode të ndryshme shtetasit Jani Shabani, Riza Hasani, Leonard Jaçellari, Arsen Çekiçi, Vasil Kuburja, Edmont Alishallari, Armant Mehmet, Aleksandër Lata, Zeqir Bajrami, Shefqet Velaj, Gjerard Markaj dhe Fatmir Hajdaraj.