Trump e Putin: Do punojmë bashkë për krizën e Koresë së Veriut

15.12.2017 19:54:35

Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar zyrtarisht bisedën telefonike ndërmjet Trump dhe Putin, të zhvilluar gjatë orëve të fundit.

Sipas tyre, dy liderët diskutuan dhe ranë dakord për cështjen e bashkëpunimit dypalësh kundër situatës së rrezikshme të Koresë së Veriut.

Gjatë telefonatës, Presidenti amerikan falenderoi Kreun e Kremlinit për vlerësimet e shprehura nga ai – gjatë konferencës për shtyp të fundvitit dhe që kishte pranuar hapur performancën e lartë ekonomike të SHBA.

Pak pas bisedës, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders deklaroi se “presidenti Trump foli me Putinin”, ndërsa sot ka qenë vet kreu i qeverisë amerikane që ka folur.

Presidenti Trump tha se shpreson që të marrë më shumë ndihmë nga homologu rus, Vladimir Putin, në përpjekjet për të bindur Korenë e Veriut të braktisë programet e saj raketore e të armëve bërthamore.

“Çështja e parë që u diskutua ishte Koreja e Veriut, sepse ne do ta prisnim krahëhapur ndihmën e tij në lidhje me vendin e izoluar komunist. Kina është duke ndihmuar, ndërsa Rusia jo. Do të donim të kishim edhe ndihmën e Moskës”, u tha Trump reporterëve.