Turqia i nënshtrohet krejtësisht Rusisë, pajtohet për qëndrimin e Assadit në pushtet

20.12.2016 18:03:45
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha se Rusia, Irani dhe Turqia janë pajtuar që të punojnë së bashku me luftëtarët sirianë drejt hartimit të marrëveshjes për paqe dhe të veprojnë si “garantues” të ndonjë zgjidhjeje të ardhshme midis Qeverisë së Sirisë dhe forcave rebele.
 
Duke folur pas bisedimeve në Moskë me ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes nga Irani dhe Turqia, Lavrov tha se ministrat e tre vendeve “pajtohen për rëndësinë e zgjerimit të armëpushimit, për qasjen e lirë të ndihmave humanitare dhe për lëvizjen e civilëve në territorin sirian”.

Ai tha se tre vendet po ashtu janë pajtuar se prioritet në Siri është lufta kundër terrorizmit dhe jo largimi nga pushteti i presidentit sirian, Bashar al-Assad – ky i fundit, një synim i deklaruar i Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë.

Takimi në Moskë është zhvilluar një ditë pas vrasjes në Ankara të ambasadorit rus, Andrei Karlov.

Të dyja vendet kanë thënë se vrasja ka pasur qëllim të dëmtojë marrëdhëniet Rusi-Turqi.