UP-së duhet t’i hiqet monopoli, tha Rexha

05.07.2017 14:56:53

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Cilësisë, Blerim Rexha, deklaroi në emisionin e së martës në RTK “Intervista me Blerimin”, se të gjitha programet e arsimit të lartë që nuk përfillën vërejtjet e ekspertëve të akreditimit, nuk do të mund të pranojnë sivjet studentë.

Ai shpjegoi se studentët që vijojnë këto drejtime, mund të vazhdojnë, ndërsa u mbetet bartësve të arsimit të lartë privat dhe publik, të plotësojnë kriteret ligjore.

Sipas tij problem kryesor, është mungesa e stafit akademik. Brenda 30 ditësh, Këshilli Kombëtar i Cilësisë, është i obliguar t’u kthejë përgjigje ankesave eventuale të Universiteteve publike apo kolegjeve private.

Rexha tha se UP-ja mban monopolin në dhënien e titujve akademikë dhe shkencorë, por një gjë e tillë duhet t’u mundësohet edhe privatëve, pasi ata të plotësojnë kushtet. Ai theksoi se jemi ende prapa krahasuar me rajonin dhe Evropën, por duhet të rritet cilësia, hulumtimi etj.

Sipas Rexhës, Agjencia e Akreditimit, nuk ka staf të mjaftueshëm për të mbikëqyrur tëra programet e arsimit të lartë. Ai u shpreh se po punojnë që të bëhet një rangim i universiteteve dhe kolegjeve, varësisht prej cilësisë që ofrojnë ato në drejtimet e akredituara.