“Vardy, sulmuesi i përkryer për RB Leipzig-un”

11.12.2016 22:37:38

Jamie Vardy do të ishte sulmuesi i përkryer për RB Leipzig-un. Ky është mendimi i drejtorit sportiv të klubit gjerman, Ralf Rangnick. Lojtari i cili vjet fitoi titullin kampion në Premier League me Leicester City-n mund të ishte transferuar në skuadrën e cila po shkruan një histori hirusheje të ngjashme me “Dhelprat”, por pengesa e tij ishte mosha, asokohe 27 vjeç.

Duke kujtuar 24 golat që anglezi shënoi në sezonin e kaluar, Rangnick në një intervistë të fundit për gazetën “Blick” ka pranuar se mbase klubi duhej të vendoste ndryshe.“Para tre vitesh, një këshilltar i futbollit anglez më tha: ‘Kam një lojtar i cili do të përshtatej shkëlqyeshëm me futbollin tuaj, por mbase është më në moshë seç duhet‘. Ishte Vardy dhe ne nuk e morëm pikërisht prej moshës.

Ai do të ishte përshtatur”, – u shpreh ish-trajneri i Schalke 04. I pyetur se ç’ka të përbashkët RB Leipzig me skuadrën kampione të Anglisë, Rangnick u përgjigj: “Tri shkronjat e para. Mendoj se nuk është gjykim prej realisti të thuash se sivjet do të shpallemi kampionë. Në kushte normale, Bayern do të fitojë.”