Veliaj: Një qendër e përhershme sociale për njerëzit në situatë rruge

16.01.2017 21:18:45

Bashkia e Tiranës ka vendosur që një nga qendrat sociale të Tiranës ta kthejë në një strehë të përhershme për këdo që jeton në situatë rruge në kryeqytet. Duke folur në takimin përmbyllës të projektit “Ngritja e kapaciteteve të Shërbimit Social Shtetëror”. kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se situata e emergjencës që kaloi Tirana ditët e acarta të javës së shkuar, nxorri në pah nevojën për zgjidhje afatgjatë të problemit të të gjithë atyre që jetojnë në kushte rrethanore.

“Çështja e personave në situatë rruge duhet trajtuar përtej emergjencave. Nga 7 qendrat që funksionuan për menaxhimin e situatës, një prej tyre do të kthehet në një qendër permanente për dikë që është në situatë rruge dhe do të kalojë natën, të plotësojë nevojat e veta higjieno-sanitare dhe të ketë një strehë në kokë, sidomos në netë si ato që kaluam”, tha Veliaj.

Gjithashtu, ai bëri të ditur se një tjetër masë që do të merret për të përballuar situata të tilla emergjence, por edhe për t’i ardhur në ndihmë atyre që janë në nevojë, është edhe ajo për të krijuar një fond të veçantë ushqimesh e veshmbathjesh.

“Pavarësisht se shteti u përgjigj si kurrë më parë, besoj se bashkitë janë akoma më pranë qytetarëve. Kemi marrë një vendim, nisur edhe nga solidariteti që pamë në qytetin e Tiranës, në çadra, batanije, ushqime, dyshekë, ushqime, për të krijuar një rezervë të qytetit, ashtu siç janë rezervat e shtetit. Bashkia e Tiranës ka identifikuar një magazinë ku do të bëjë një imitim në miniaturë të rezervave të shtetit, për rezervat e qytetit. Besoj se qytetet e mëdha, të gjitha mund ta bëjnë këtë, pra për të pasur për çdo ditë një sasi të konsiderueshme shtretërish, veshmbathje dhe ushqime për raste nga më të ndryshmet”, shtoi Veliaj. Kryebashkiaku deklaroi se Bashkia e Tiranës ka filluar edhe një program ambicioz për strehimin social, ku përveç bonusit të qirasë, një vëmendje të veçantë do t’i kushtohet edhe hapjes së programit të kredive të buta për banesa, kryesisht për çiftet e reja.

Projekti u realizua me qëllim ngritjen e kapaciteteve të administratës së Shërbimit Social Shtetëror, përgjegjës për monitorimin e politikave të mbrojtjes sociale (në nivel kombëtar dhe rajonal) dhe në veçanti në fushën e ofrimit të shërbimeve të kujdesit social. Administrata e SHSSH ka mjetet për të monitoruar dhe për të ndihmuar njësitë e qeverisjes vendore (NjQV) në planifikimin dhe buxhetimin efikas të shërbimeve sociale të ofruara. Kjo nismë ndikon në përmirësimin e shërbimeve për të gjitha grupet vulnerabël në Shqipëri, të cilët janë në rrezik përjashtimi dhe/ose kategoritë të cilat kanë nevojë për mbrojtje sociale, duke përfshirë fëmijët dhe familjet e tyre; gratë; minoritetet, (në veçanti komunitetet rome dhe egjiptiane); të moshuarit; persona me aftësi të kufizuara.